Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Republika Srpska në Kosovë

Ambasadorja amerikane, Tracy Jacobson, ka qenë shumë aktive tani para se të shkojë në festat e fundvitit. Së pari ajo na tregoi se fituesit e zgjedhjeve në Prishtinë e Gjakovë janë shkolluar në Amerikë. Çfarë deshi të thoshte këtu nuk e kuptuam, por jam i sigurt që të gjithë e morën vesh çfarë po thotë zonja kur alarmoi se është evident rreziku i krijimit të një “republika srpska” në Kosovë.
Kryetarët e komunave serbe, të ardhur nga lista “Srpska”, që është një derivativ i listës “Srbija”, dolën në një paraqitje publike me të fituar zgjedhjet dhe ripërsëritën atë që ata e kanë thënë në vazhdimësi, ata nuk e pranojnë shtetin e Kosovës.

Kjo nuk është gjë e re. Kjo u tha nga përfaqësuesit serbë gjithmonë, e u tha nga vetë Ivica Daçiq, sa herë që ai shkoi në negociata. Pra, ishte krejtësisht e ditur.

Madje kryeministri serb e tha këtë edhe gjatë vizitës së tij në Kosovë, atëherë kur kryeministri ynë u mundua ta bënte zëdhënësin e tij disa ditë më vonë. Daçiqi ftoi serbët që të dalin në zgjedhje, t’i fitojnë ato, dhe të punojnë për Serbinë. Kryeministri ynë tha, ai vetëm bëri ftesë për pjesëmarrje në zgjedhje.

Mirëpo, një gënjeshtër nuk shitet përgjithmonë. Më në fund, Jacobson e ka parë atë, e ka kuptuar atë që po thoshin të gjithë kundërshtarët e negociatave të Brukselit. Pra, e ka pranuar se në Kosovë është duke u krijuar një entitet tjetër, nëpërmjet negociatave në Bruksel.

Paradoksi i deklaratës së Jacobson qëndron vetëm në faktin se me deklaratën e saj se ka rrezik të krijohet një “republika srpska” ajo provon të na bindë se ky nuk ishte qëllimi i negociatave, porse kjo mundet disi aksidentalisht të ndodhë. Mirëpo, e vërteta është se krejt çka ndodhi në Bruksel, e sidomos qasja e vazhdimit të negociatave me njerëz që në vazhdimësi kanë mohuar shtetin e Kosovës, ka qenë thjesht një rrugë për të ardhur deri tek momenti i tanishëm.

Serbët kanë të drejtën të krijojnë një kuvend të tyre, i cili ka të drejtë të themelojë institucione publike, ata kanë buxhet të vetin, kontrollojnë dogana në pjesën e territorit të vet, kanë edhe të drejtën e zgjedhjes së policisë dhe komandantit të policisë, dhe çka është më e rëndësishme i kanë të gjitha instancat gjyqësore.

Pra, ata nuk po e krijojnë tani këtë “republika srpska”, por kjo u krijua gjatë negociatave në Bruksel, dhe ne edhe po ta kemi tërë vëmendjen e botës, e vëmendja është ajo që Jacobson kërkon tani, nuk mund të ndërrojmë asnjë më të voglën gjë.

Secili hap, secili veprim i Serbisë dhe serbëve, është legjitimuar nga ndërkombëtarët në Kosovë dhe nga ata në Bruksel, kurse implementimin e tërë kësaj e ka siguruar kryeministri ynë, Hashim Thaçi me partinë e tij dhe setin e partive LDKAAKAKR. Çka mund të bëjë Kosova tani?

Kushdo që ka kundërshtuar këtë proces, ambasadorja është ndeshur me ambasadorin amerikan, edhe me zotin Christopher Dell, edhe me zonjën Tracy Jacobson.

Tani që tashmë qerrja është thyer, kjo e fundit thotë- kujdes se mund të thyhet qerrja. Mirëpo, natyrisht, përgjegjësinë për këtë nuk e ka as ajo, dhe as faktori ndërkombëtar. Partia në pushtet, PDK, e ndihmuar nga LDK, AAK, dhe AKR kanë qenë fasilituesit e krijimit të “republika srpska” në Kosovë.

Ata kanë qenë shtyrësit e të gjitha koncesioneve që kryeministri ynë merrte mbrapa nga vizitat e tij në Bruksel. Këto parti janë kujdesur që të krijohen të gjitha kushtet në terren për t’u themeluar “republika srpska”. Tani kjo mund të jetë tërësisht e pashmangshme.

Ç’është më e keqja, tani jemi në një situatë që mund të prodhojë paradokse më të rënda sesa vetë “republika srpska”. Politika e Kosovës, e koncentruar shumë në zbatimin e detyrave që po i jepeshin nga të huajt, pa e bërë as më të voglin hap për ta bërë shtetin brenda, ka humbur çfarëdo shansi për të fituar legjitimitet të brendshëm në një pjesë të konsiderueshme të territorit të Kosovës, kurse ka dështuar në arritjen e legjitimitetit të jashtëm.

Në anën tjetër, tërë këto krijesa të rezervuara ekskluzivisht për komunitetin serb, janë të pranuara nga të gjithë, edhe nga pala kosovare. Pra, pjesa e Kosovës e udhëhequr nga lista “Srpska”, është krijesa e vetme juridike e pranuar nga të gjithë, nga ndërkombëtarët, nga Serbia, dhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Kosova si shtet nuk pranohet nga BE-ja, e cila është shndërruar në aktorin kryesor në Kosovë. Sot Kosova rrezikon të përfaqësohet jashtë nëpërmjet kësaj krijese që mund të quhet “republika srpska” apo qyshdo tjetër.

Mirëpo, të ulesh sot e të vajtosh se po krijohet “republika srpska”, ndërkohë që iu ke rënë hundëve kujtdo që dje po paralajmëronin këtë rrezik, është vërtet të derdhësh lot krokodili. Shteti i Kosovës dhe politika e saj është lënë në baltë nga ata që bënë tutorin për ta deri në këtë pikë.

Kosova sot nuk e ka asnjë mjet në dorë për të parandaluar atë që e nxori më në fund Jacobson, sepse në negociatat e Brukselit u krijua një rregull i paprecedent.

Pa marrë parasysh sjelljen e Bashkësisë së Komunave Serbe, Kosova nuk e ka asnjë mjet për të ndërmarrë ndonjë veprim. Kosova tani, duke iu falënderuar Bruskelit dhe kryeministrit Thaçi, por edhe partive tjera që përkrahën negociatat, mundet vetëm të ulet dhe të shohë zhvillimet që pashmangshëm do të çojnë në krijimin e një entiteti semi-independent serb në territorin e saj.

Shkruan: Avni Zogiani