Përshkallëzohen protestat qytetare kundër demontimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Këtë të hënë, siç ishte paralajmëruar dhjetëra qytetarë, të rinj dhe të reja, aktivistë të shoqërisë civile dhe ambientalistë kanë protestuar në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" përbri Kryeministrisë kundër një vendimi të mundshëm të Qeverisë shqiptare për t'i thënë po sjelljes së armëve kimike në Shqipëri.
Rreth orës 13:00 protestuesit me pankarta në duar kanë kërkuar nga qeveria të kundërshtojë sjelljën e armëve kimike, që sipas tyre shkatërrojhnë të ardhmen e vendit. Por që në minutat e para qytetarët janë penguar nga forcat e rendit, të cilat kanë kërkuar anulimin e këtij organizimi. Arsyeja ka qenë fakti, se rreth orës 14:00 ishte planifikuar protesta e Partisë Demokratike, kundër blerjes së votave në zgjedhjet e 3 nëntorit në Korcë.
Pas disa minutave debate, mes policisë dhe organizatorëve, protesta ka vijuar e qetë. Sipas një axhende të paracaktuar nga organizatorët e protestave kundër armëve kimike, mësohet se ditën e martë, në orën 13:00, pranë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës do të vijojë një tjetër protestë, kësaj herë organizuar nga Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve.
Sipas organizatorëve, protesta do të nisë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe më pas do të vijojë pranë ambasadës amerikane në rrugën e Elbasanit. Ndërsa ditën e mërkurë, protesta kundër armëve kimike do të organizohet në sheshin "Skëndërbej"
.



