Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Panairi i Librit “Tirana 2013”

Më datë 13-17 nëntor 2013 hap siparin Panairi i Librit “Tirana 2013”. Ky është Panairi i 16 që zhvillohet radhazi në qytetin e Tiranës nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila organizon Panairin e Librit të Tiranës qysh prej vitit 1998.
Tashmë është një organizim efikas i aktiviteteve më të mëdha vjetore për librin, duke shënuar rezultate në rritje nga viti në vit, dhe duke siguruar kështu vijimësinë e Panairit të Librit të Tiranës dhe përkrahjen e gjerë të tij.

Organizimi i tij është ngjarja më e madhe kulturore në pasqyrimin e veprimtarisë librore që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë. Panairi i Librit do të shndërrohet në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti nëntor 2012-nëntor 2013.

Ky panair do të bashkojë të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë.

Në vazhdën e fushatës së ndërgjegjësimit për çështjen e piraterisë dhe informalitetit në fushën e librave, është edhe motoja e këtij Panairi Libri: “Pirateria dhe informaliteti po e vrasin librin”. Në këtë kuadër gjatë pesë ditëve të Panairit do të organizohen edhe një sërë aktivitetesh, ndër të cilat edhe një Konferencë për Piraterinë dhe Informalitetin, e organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, me pjesëmarrjen e specialistëve të fushës dhe personaliteve të ndryshme kulturore nga Shqipëria, Kosova e më gjerë.

Në Panairin e 16 të Librit do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese vendase e të huaja, institucione të arsimit të lartë, dhe organizata të tjera që punojnë me librin. Në këtë Panair do të ketë një pjesëmarrje të gjerë të ambasadave e institucioneve të huaja në vendin tonë, duke i dhënë kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme për vendin tonë një karakter ndërkombëtar.

Ky Panair do të shndërrohet në një panel të rëndësishëm diskutimi për artin dhe kulturën./vizion-info/