Kuvendi i Shqipërisë nisi seancën e radhës parlamentare, ndërsa jashtë dyerve të tij qindra të rinj protestonin kundër armëve kimike.
“Nuk ka çështje më të rëndësishme për të diskutuar në këtë Kuvend se sa armët kimike siriane”, tha deputeti Eduard Halimi.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha se kishte diskutuar me kryeministrin Rama për këtë çështje dhe se nuk kishte vendim për armët kimike. “Ju bëj thirrje që të mos i nxisni të rinjtë që të lënë mësimet dhe të dalin në protesta. Nuk ka asnjë vendim dhe nuk ka vend për panik. Unë ju bëj thirrje që së pari të çlirohemi nga helmet që kemi në shpirtrat tanë”, tha Meta.
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se armët kimike siriane janë ndër arsema më të mëdha në botë dhe vendi ynë nuk ka asnjë kusht për çmontimin e tyre.
Fjalimi i Berishës u shoqërua me debate nga kryeparlamentari Meta, i cili tha se nuk mund të ketë ndonjë vendim pa u diskutuar në Parlament. “Si do të ketë vendim pa u diskutuar në këtë Parlament? ”, ndërhyri kryetari i Kuvendit.
Berisha i kërkoi kryeministrit Rama që të anulojë urgjent vizitën në Beograd, ndërsa kërkoi që të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të shqyrtuar me shpejtësi nismën për një referendum popullor.
Meta, ndërhyri duke deklaruar se opozita po e përdor rastin, por se do të bëhet interpelancë për këtë çështje kaq serioze. “Çdo gjë do të zhvillohet në mënyrën më transparente dhe pozitive. Jini të qetë. Çarmatosuni”, tha Meta.
Më pas, deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda tha se kishte pesë ditë që i kishte kërkuar interpelancë kryeministrit, por kërkesa nuk është realizuar ende. Më pas, ajo ftoi të gjitha gratë deputete që të dalin në hollin e foltores, gjë që u bë, çka detyroi kryetarin e Kuvendit Ilir Meta që të ndërpriste seancën.(Start)



