Organizata për ndalimin e armëve kimike (OPCW) nesër do të publikojë planin e shkatërrimit të armëve kimike siriane, ku pritet caktimi i vendeve që do të jenë pjesë e planit.
Nesër, organizata për ndalimin e armëve kimike, e cila po bashkëpunon me Kombet e Bashkuara pritet të bëjë publik planin e shkatërrimit të arsenalit sirian, të shoqëruar ndoshta dhe me vendet që do të përfshihen në këtë operacion, raporton INA.
Më datë 15 nëntor pritet të mblidhet Këshilli Ekzekutiv i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, për të vendosur lidhur me procedurat e shkatërrimit dhe vendin se ku do të ndodhë procesi.
Kjo organizatë përcakton gjithçka lidhur me sigurinë e armëve kimime dhe harton planin përfundimtar. Derisa pritet ky vendim, në Shqipëri po mbahen protesta, ndërsa nga ana tjetër është deklaruar edhe kryeministri i vendit.
Kryeministri Edi Rama theksoi dje se një përgjigje pozitive ndaj mundësisë së shkatërimit të armëve kimike siriane në territorin e Shqipërisë do të jetë e lidhur me garancitë e plota se një operacion i tillë nuk do të cënojë integritetin e vendit qoftë në aspektin jetik, qoftë në atë mjedisor apo të ardhmes së vet.
“PO-ja jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe një marrëveshje nga ku të jetë e qartë për të gjithë se Shqipëria do të dali jo vetëm me kokën lart dhe e fituar, por edhe më e pastër sec është sot. Një moment i tillë mund të jetë një shans jo vetëm për të bërë detyrën tonë, por edhe për të dalë nga ky operacion më të fortë e më të pastër”, deklaroi kryeministri Rama.
Ai dhe një herë nënvizoi se kontributi dhe pozicionimi i Shqipërisë krah SHBA-ve është i lidhur me interesin e cdo shqiptari dhe familjeve në vend.
Asgjësimi i armëve siriane apo komponentëve kimik ka nxitur debate edhe në vendet fqinje dhe në mediat botërore.



