Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar

Ismail Qemal Bej Vlora (1844 - 1919) ishte veprimtar i çështjes shqiptare, themelues i shtetit shqiptar. Ismail Qemali ishte firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë. Lindi si Ismail Hakki bej Vlora më 16 janar 1844 në Vlorë në një nga familjet e mëdha të Shqipërisë së Jugut. Ishte i biri i Mahmud Bej Vlorës dhe Hedije hanëm Libohovës.
Pas shtypjes së Kryengritjes popullore kundër reformave të Tanzimatit, Mahmud bej Vlora, si një ndër udhëheqësit kryesorë të kësaj kryengritjeje, u arrestua ndërsa familja e tij u internua në Konjë të Anadollit, ndërsa gratë në Selanik - kur Ismail beu ishte katër vjeç.

Gjatë qëndrimit në Selanik Ismail Qemali ndoqi shkollën fillore. Më 1852, kur u liruan, Mahmud beu e regjistroi të birin në gjimnazin “Zosimea” pranë të ungjit Mustafa pashë Vlorës, në Janinë më 1855, një ndër shkollat e mesme më të përparuara në Perandorinë Osmane, e cila shquhej edhe si qendër e përhapjes së iluminizmit përparimtar evropian.

Në “Zosimea” Ismail Qemali ishte i pari nxënës mysliman në atë kohë. Në këtë gjimnaz ai studioi greqishten e vjetër, latinisht dhe frëngjisht dhe u dallua për aftësitë e tij të veçanta në matematikë. Sipas regjistrave të “Zosimeas”, Ismail Qemali i dha provimet e vitit të fundit më 15 korrik 1859, dhe u kthye në Vlorë. Gjatë qëndrimit në Janinë, me mësues privat, mësoi arabishten dhe persishten.