Domosdo kur flitet për Pavarësinë e Shqipërisë, një vend të rëndësishëm zë edhe figura e Marigo Posio (Marigona). Atdhetarja e shquar, me dorën e saj qëndisi flamurin dhe shqiponjën e Flamurit që ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912. Ajo u largua nga vendlindja e saj Hoçishti i Korçës dhe u vendos në Vlorë.
Shkak i braktisjes së vendlindjes ishte persekutimi që po iu bëhej atdhetarëve nga reaksioni osman. Në vitin 1904, bashkë me të shoqin u vendos në një shtëpi të lagjes Muradie, në rrugën që mban emrin e gazetarit francez Justin Goda.
Shpejt ajo u fut në vatrat vlonjate me idetë e saj përparimtare, por edhe me qëndismat që bënte. Kur solli plaçkat nga Korça në fund të sëndukut kish vënë një flamur të qëndisur me dorën e saj.
E kishte mbuluar me gazeta të vjetra të ngjitura me brumë, që të mos diktohej në rast kontrolli. Ishte e vetmja grua që aktivizohej në veprimtaritë patriotike të kohës, duke u bërë edhe një shembull për masën e grave.



