Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Buzëqeshja e fundit e Profetit a.s

Edhe i Dërguari i Zotit që tha: “Nëse do të dinit atë që di unë, do të qeshnit pak dhe do të qanit shumë”, buzëqeshte herë pas here. Në raste të tilla, fytyra e tij ndriste nga një buzëqeshje e mëshirshme, njësoj si guri i çmuar i sedefit. Por a ishin gabimet, dobësitë dhe veprimet e sikletshme të të tjerëve që e bënin atë të qeshte? Të përpiqemi të kuptojmë çfarë e bënte Profetin a.s të buzëqeshte bazuar në disa transmetime të rëndësishme.

Gruaja e tij, Aisha r.a, tregon se pasi Profeti a.s u kthye nga ekspedita e Tebukut, era ngriti perdet që mbulonin derën duke bërë të dukshme disa kukulla të saj. Ai e pyeti atë se çfarë ishin dhe ajo iu përgjigj se ishin kukullat e saj. Mes kukullave ai pa një kalë me krahë prej lecke dhe pyeti se çfarë ishin ato? Ajo iu përgjigj se ishin krahë. “Një kalë me krahë?” – tha ai. “A nuk ke dëgjuar për kuajt me krahë të Sulejmanit?”-u përgjigj ajo. Pastaj Profeti a.s filloi të buzëqeshte derisa iu dukën dhëmbët.

Fatlume ishte ajo grua që arriti ta bënte te buzëqeshte pavarësisht sfidave dhe vështirësive të panumërta me të cilat përballej, vështirësi dhe sfida me të cilat askush përpara tij nuk ishte ballafaquar.

Buzëqeshja e tij nuk theksonte të metat e të tjerëve, nuk tallte apo vinte në lojë mangësitë e tyre fizike, por ishte gjallërim i ajeteve Kur’anore. Në ndodhinë e sipër përmendur Profeti a.s mirëpriti me hare dhe dashuri imagjinatën e Aishes, zbulimin e saj, pafajësinë dhe përmendjen e një profeti tjetër. Mendoj se kjo ndodhi tregon edhe vlerësimin e tij për letërsinë dhe artin, mahnitjen dhe gëzimin që përjetoji kur u përball me botën e pasur të imagjinatës fëmijërore.

“O ju që besuat, një popull nuk duhet të tallet me një popull tjetër. Të përqeshurit mund të jenë më të mirë se ata që përqeshin. As gratë mes tyre nuk duhet të përqeshen, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin e nënçmojnë. Dhe mos e etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit llagapet e këqija nuk janë të pranuara. Ata që nuk pendohen janë mizorë!” (Kur’ani 49:11)

Mendimtari i shquar francez, Henri Bergson, në veprën e tij të titulluar “Të qeshurit”, argumenton se në çastin që i lejojmë vetes të qeshim me situatat mjerane të të tjerëve, duhet të harrojmë dashurinë dhe të heshtim mëshirën tonë. E megjithatë, në buzëqeshjet e Profetit a.s kemi një manifestim të thellë dashurie. Buzëqeshjet e tij nuk ishin cinizëm ndaj dobësive apo vështirësive të të tjerëve.

Të shqyrtojmë një tjetër ndodhi. Ebu Hurejrja tregon:

(Kjo ndodhi ka ngjarë në Mekë, gjatë ditëve të para të shtypjes ekstreme)

”Betohem në Zotin e gjithëfuqishëm e të vetëm se ndonjëherë për shkak të urisë e ngjeshja stomakun përtokë ose lidhja një gur në të. Një ditë u ula në rrugë. Në atë kohë grupi i besimtarëve doli nga xhamia, pasi ishin falur. Profeti a.s ndaloi pranë meje dhe buzëqeshi. Kishte kuptuar shenjat e urisë të skalitura në fytyrën time dhe dobësinë e trupit tim.” Më tha:”Ebu Hurerja! Më ndiq!”

U fut në një shtëpi, me lejen e të zotit, dhe gjeti një enë me qumësht. Kur pyeti të zotin e shtëpisë ku e kishte gjetur qumështin, ai iu përgjigj se ia kishte dhënë një grua si dhuratë. Pastaj i tha: “Shko dhe thirr Ahlul Suffa”. Shokët e quajtur suffa (ky grup shokësh përbëhej kryesisht nga të rinj beqarë që strehoheshin në xhaminë e Profetit a.s në Medinë) janë miqtë e Islamit. Ata nuk kishin familje, prona apo njerëz tek të cilët të mbështeteshin dhe sipas Ebu Hurejrjes kjo shpjegon arsyen pse I Dërguari i Allahut vendosi që ta ndante dhuratën e paracaktuar për të edhe me to.

Ata që erdhën pinë nga ena derisa u ngopën dhe Ebu Hurejra, që fillimisht ishte shqetësuar mos nuk mbetej asgjë për të, piu po ashtu derisa u ngop. Në fund piu edhe Profeti a.s.

Situata në të cilën gjendej Ebu Hurejra ishte e njëjtë me situatën të cilën Profeti a.s e përballonte me durim. Por Profeti a.s buzëqeshi sepse gjendja e Ebu Hurejrës, e ngjashme me atë të dikujt që pret për ndihmë duke theksuar gjendjen e tij të dëshpëruar, ishte zemër copëtuese për të dhe i shkaktoi dhimbje të rëndë. Duket sikur kjo ndodhi nuk ka asnjë lidhje me pretendimin e Bergsonit sipas të cilit zemra duhet të ndalojë për pak çaste në mënyrë që humori të shfaqet në formë të plotë. Përkundrazi, në rastin e buzëqeshjes së Profetit a.s zemra ishte plotësisht e përfshirë.

Në një tjetër transmetim të Enes ibn Malikut:

”Po ecja me Profetin a.s. Ai kishte veshur një mantel me xhufka të trasha, të prodhuar me një cohë të ardhur nga provinca e Nexhranit. Në këtë çast një beduin iu afrua, e kapi nga jaka me forcë dhe e tërhoqi drejt vetes. Pashë qafën e Profetit a.s, dhe vura re se manteli kishte lënë shenjë në të.”

Ngjarja u zhvillua e tillë: Beduini tha: : “O Muhamed! Më jep atë që më takon!” Profeti e pa dhe buzëqeshi, duke kërkuar që t’i jepej diçka. Enesi arriti ta transmetojë këtë ndodhi të pazakontë.

I ndodhur përballë sjelljes qetësuese dhe qëndrimit shërues të Profetit a.s, në një situatë ku askush nuk do të reagonte me qetësi, çdokush do të ndërgjegjësohej për maturinë e papërshkrueshme të Profetit a.s.

Ebu Hurerja transmeton:

”Ndërsa qëndronim të ulur me Profeti a.s një burrë erdhi dhe tha: “O Profet i Zotit! Jam shkatërruar! Profeti e pyeti se ç’problem kishte. Ai u përgjigj, “Kreva marrëdhënie seksuale me gruan time gjatë agjërimit.” Profeti e pyeti: “Ke ndonjë skllav për të liruar? Ai u përgjigj se nuk kishte. Profeti e pyeti, “Mund të agjërosh dy muaj rresht?” Ai u përgjigj se nuk mundej. Profeti e pyeti, “Mund të ushqesh 60 nevojtarë?” Ai u përgjigj se nuk mundej. Profeti heshti dhe ndërsa ne po shikonim, dikush i solli një kosh të madh me hurma. Ai pyeti, “Ku është personi që po bën këto pyetje?” Personi u përgjigj, “Jam këtu!”. Profeti i tha, “Merri këto dhe jepi për bamirësi.” Burri tha, “Duhet t’ia jap një personi më të varfër se unë? Betohem për Zotin që mes dy maleve të Medinës nuk ka familje më të varfër se e imja.” Profeti a.s buzëqeshi derisa iu shfaqën dhëmbët dhe tha, “Ushqe familjen tënde!”

Ky burrë kishte kryer një mëkat që nuk shlyhej lehtë. Meditoni mbi veprimin unik të Profetit a.s, që buzëqeshi dhe i dhuroi një kosh me hurma. Ky është trajtim i butë nga dikush që është i ndërgjegjshëm për vështirësitë e të tjerëve.

Por kemi edhe buzëqeshjen e hidhur të Profetit a.s, që është goxha e trishtë. Kab in Maliku kishte marrë pjesë në të gjitha ekspeditat përkrah Profetit a.s. Kur erdhi koha për ekspeditën e Tebukut, ishte e vështirë të përcaktohej kush mungonte sepse lista e pjesëmarrësve ishte shumë e gjatë. Kabi kishte thënë se do të përgatitej dhe do t’i bashkohej ekspeditës në një datë më të vonë. Megjithatë, ai nuk arriti t’i bashkohej asaj. Siç tregon vetë më pas, ai nuk kishte qenë kurrë më i pasur dhe më i fuqishëm në kohë lufte se gjatë kësaj ekspedite. Nuk kishte asnjë justifikim për të qëndruar pas. Ishte shmangur nga lufta në çastin kur ishte në kulmin e fuqisë dhe të mundësisë materiale. Me keqardhje dhe shqetësim ai priti kthimin e atyre që ishin larguar. Pasi përshëndeti Profetin a.s që po kthehej nga Tebuku në Medinë, u dërrmua kur pa buzëqeshjen e lodhur dhe të pikëlluar në fytyrën e tij. Ishte mësuar me fytyrën e tij të ndriçuar, që siç përshkruhej në letërsinë arabe, “ i ngjante bukurisë së hënës së plotë.” Për ata që ishin rritur duke parë buzëqeshjen e tij, mundemi vetëm të imagjinojnë se ç’keqardhje mund të shkaktonte një buzëqeshje e tillë e trishtuar.



Buzëqeshja e tij e fundit

Bazuar në tregimin e Enes ibn Malikut: Ebu Bekri priu një xhenaze gjatë kohës që Profeti a.s u sëmur, për të mos u përmirësuar më. Të hënën, ndërsa besimtarët u rreshtuan për t’u falur, Profeti a.s hapi perdet e dhomës së tij dhe pa ata që po faleshin. Pavarësisht dobësisë së tij ai u buzëqeshi të pranishmëve. Enesi tregon se ata u gëzuan dhe u befasuan nga vështrimi që Profeti u hodhi ndërsa bëheshin gati për falje. Ebu Bekri bëri një hap pas, duke menduar se Profeti a.s do të vinte të drejtonte faljen, por Profeti u bëri me shenjë që të vijonin adhurimet. Pastaj me një shprehi kënaqësie në fytyrë ai shkoi në dhomën e Aishes dhe uli perdet. Në po të njëjtën ditë ai u largua nga kjo botë. Ai u nda nga shokët e tij me një buzëqeshje. Mendoj se buzëqeshja, si për xhematin e asaj kohe, por edhe për kohën tonë, është një kujtim i vyer, një përgjegjësi e pafund. Domethënien e thellë të kësaj buzëqeshje mund ta përjetojmë vetëm nëse reflektojmë dhe veprojmë në përputhje me atë që e kënaqte Profetin a.s. Ne duhet të jemi xhemati, komuniteti që e kënaq Profetin a.s. Çdo musliman duhet ta gdhendë këtë kujtim në zemrën e tij dhe ta përkujtojë në fshehtësi.

Profeti a.s pushtoi shumë zemra me buzëqeshjen e tij të ëmbël, me temperamentin bujar dhe durimin e tij.

Zoti i drejtohet Profetit a.s me këto fjalë: “Po të ishe treguar i ashpër dhe i pandjeshëm, ata me siguri do të ishin larguar prej teje.” (3:159)