Një 32-vjeçar nga Londra ka arritur të notojë sa gjatësia e Britanisë së Madhe (nga Land’s End deri në John O’Groats). Sean Conway e filloi aventurën e tij më 30 qershor, ndërsa i gjithë notimi zgjati 135 ditë, raporton BBC.
Ai ka përshkuar me not afro 1 450 kilometra, por si duket nuk është i kënaqur me këtë rezultat pasi kishte shpresuar që objektivin e tij ta arrinte brenda dy muajsh.
“Kjo është dëshmi se nëse përqendroheni në diçka, mund ta arrini përherë atë që doni. Më vështirë e kam pasur të luftoj me motin, të ftohtin dhe meduzat. Për shkak të meduzave kam rritur dhe këtë mjekër qesharake”, -thotë Conway.
Kjo iniciativë e britanikut, është ndërmarrë edhe për qëllime humanitare, përveç synimeve personale.
Deri më tani, Conway ka arritur të grumbullojë afro 7.000 funte, të cilat do t’ia dhurojë organizatës “War Child”, që ndihmon fëmijët në zonat e luftës.



