Sipas bashkëshortes së kreut të gjithëfuqishëm të ish-federatës së Jugosllavisë, Josip Broz Tito, Jovanka Broz, pas luftës nacional çlirimtare (1941-1945) Aleksandar Rankoviq në Kosovë ka sjellë rreth 300 mijë shqiptarë nga Shqipëria.
Në librin “Jeta ime, e vërteta ime”, Jovanka Broz ka shkruar se Rankoviqi duke menduar se në Kosovë po sjell komunistë shqiptarë ka rezultuar që ata të jenë nacionalitët më të mëdhenj.
Në këtë libër të shkruar nga publicisti serb, Zharko Jokanoviq, janë pasqyruar edhe shumë kujtime për ngjarje ku ajo ka qenë pjesëmarrëse direkte ose indirekte. Ajo ka hedhur dritë mbi disa ngjarje që kanë qenë të dyshimta, të heshtura ose vendimmarrëse në kohën e ish Jugosllavisë, raporton portali Zhurnal.
Përkundër këtyre pohimeve të gruas së Titos, Aleksandar Rankoviq njihet si njeriu që me politikën e tij bëri asgjësimin më të madh dhe shpërnguljen më të madhe të shqiptarëve nga viset e tyre.
Në qershor të vitit 1948, pas acarimit të raporteve politike në mes të Beogradit dhe Moskës, PK e Jugosllavisë u përjashtua nga organizata e partive të shteteve komuniste Informbyro dhe me këtë rast u prishën marrëdhëniet e ish Bashkimit Sovjetik dhe të aleatëve të saj me Jugosllavinë e Titos.
Në këtë situatë Shqipëria mbajti anën e Informbyrosë dhe mbetja e saj në pozitat pro-sovjetike bëri që t´i prishë marrëdhëniet e “mira”që kishte me Jugosllavinë e Titos nga viti 1945.
Ndonëse gjatë periudhës 1945-948 pozita e shqiptarëve në Kosovë dhe në viset tjera etnike shqiptare ishte e keqe, prishja e marrëdhënieve Jugosllavi-Shqipëri vetëm sa e ka nxitur edhe më shumë përkeqësimin e pozitës së tyre.
Regjimi jugosllav, i drejtuar nga binomi Tito - Rankoviq, duke e shfrytëzuar këtë situatë, riaktualizoi projektet antishqiptare të Vasa Çubrilloviqit (të marsit 1937 dhe fillim-nëntorit 1944) për asgjësimin, asimilimin apo shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike.
Kjo politikë antishqiptare shtetërore, që kishte nisur akoma pa përfunduar mirë Lufta e Dytë Botërore (1944), në këtë periudhë mori përmasa të reja gjenocidi.
Vetëm në vitin 1948 regjimi komunist arrestoi dhe nxori përpara gjyqit 306 shqiptarë, të akuzuar për vepra penale kundër shtetit.
Ndryshe, serbi Aleksandar Rankoviq ishte figurë e lartë politike, zëvendëspresident i ish-RFJ-së. Në vitet 1950-1960 ishte në krye të organeve të sigurimit të shtetit. Nga viti 1946 deri më 1966 kreu detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë.
Ai është konsideruar dhe si kasap i Kosovës.
U shkarkua nga detyra dhe u përjashtua nga forumet e partisë pas skandalit të përgjimit të kryetarit Tito.



.jpg)