Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Profeti Muhamed dhe vizioni i tij

Në këtë shkrim mund të përmendim shkurtimisht vetëm disa prej mësimeve më themelore që predikonte Muhamedi (a.s.).
Ai predikonte se Zoti është një e i vetëm, se të gjithë qeniet, qofshin ato engjëj, njerëz, kafshë apo forma të tjera, ishin krijesa të Zotit. Muhamedi theksonte në mënyrë të veçantë se një prej fyerjeve më të rënda ndaj Zotit ishte të mendohej se ai mishërohej në formën e njeriut apo të një idhulli ose Ai ka lindur dikë apo është lindur prej dikujt.
Vetëm Zoti i Madh, shpjegonte Muhamedi a.s., ka fuqinë për të dhuruar jetën dhe për të marrë atë. Të gjithë profetët janë shërbëtorë të Zotit dhe se asnjë prej tyre nuk kishte fuqi hyjnore. Të gjithë njerëzit duhet t’i falen vetëm Atij dhe duhet të mbështeten vetëm në vullnetin e Tij.
Profeti Muhamed a.s. predikonte se Zoti e kishte krijuar njeriun për të arritur zhvillimin më të lartë shpirtëror, moral, mendor e shoqëror dhe me qëllim që ky proces zhvillimi të ishte i pandalshëm, Zoti ka dërguar vazhdimisht profetë për popujt e ndryshëm. Muhamedi theksonte: Profetësia nuk i përkiste një kombi apo race të veçantë sepse Zoti Fuqiplotë nuk ishte i njëanshëm. Profeti Muhamed dëshmoi vërtetësinë e të gjithë profetëve të ardhur para tij.
Një prej mësimeve të Profetit Muhamed ishte se Fjala e Zotit është zbuluar në të gjitha epokat, sipas nevojave të kohës. Ai deklaroi se Zoti e kishte caktuar atë të udhëhiqte njerëzimin në epokën e tij, se Kur’ani ishte Shkrimi i fundit prej librave të shenjta, i cili përmbledh të gjitha të vërtetat themelore të shkrimeve të shenjta të zbuluara para tij dhe se misioni i tij si Profet ishte të udhëhiqte mbarë njerëzimin në rrugë të vërtetë, pra se ai ishte Profeti Universal, se mësimet e tij ishin për të gjithë popujt dhe për të gjitha epokat.
Sipas mësimeve të Muhamedit, edhe popujt e feve të ndryshme duhet të bashkëjetojnë në paqe e vëllazëri; se njerëzit nuk duhet të grinden e të luftojnë kundër njëri-tjetrit për çështje fetare. Ai theksoi se nuk është aspak e nevojshme që ai të grindet rreth saj, mjafton që ai të shpjegojë atë, sepse e vërteta e paraqitur si guhet, i bën për vete të gjitha zemrat e pandryshkura prej ligësisë. Prandaj, Profeti Muhamed i porositi myslimanët që të respektojnë me durimin më të madh bindjen e besimtarëe të feve të tjera. Edhe në këtë drejtim, si në çdo aspekt tjetër, Muhamedi dha shembullin personal. Ai lejoi pa asnjë ngurim pjesëtarët e një grupi të krishterësh nga Nexhrani, të cilët ndodheshin për vizitë në Medine, që të kryenin shërbimet e tyre fetare në xhami. është shumë vështirë të gjendet një shembull tjetër i këtij qëndrimi fetar, madje edhe sot, në epokën e përparimit e të qytetërimit.
Muhamedi deklaroi se jeta e njeriut është e dyfishtë, shpirtërore dhe materiale; se qenia e njeriut përbëhet nga trupi dhe shpirti, dy elemente të lidhura shumë ngushtë me njëri-tjetrin. Si rrjedhim, Profeti Muhamed ka porositur që t’u kushtojmë rëndësi këtyre aspekteve. Ai ka thënë: “Puno për këtë botë sikur nuk do të vdesësh kurrë dhe puno për botën tjetër sikur do të vdesësh nesër!”
Për sa i përket aspektit moral të jetës, Profeti mësonte se njeriu lind shpirtërisht i pastër, pa asnjë mëkat. Demoralizimi, korruptimi dhe të gjitha veset e tjera moralisht të papranueshme janë rrjedhim i edukatës familjare, diturisë dhe mësimeve morale e duhet kushtuar vëmendje të posaçme. “Mësimi, – theksonte ai, – është detyrë e domosdoshme për çdo mysliman e myslimane” dhe se “Myslimani i vërtetë është ai që nga dora apo goja e të cilit nuk bëhet dhe nuk del asgjë që dëmton njerëzimit”. Atij nuk i kalonte asnjë rast pa këshilluar prindërit që të mos linin pas dore zhvillimin shpirtëror, moral dhe mendor të fëmijëve.
Në mënyrë të veçantë, Profeti theksonte shpesh të vërtetën se për sa u përket mësimeve morale, njeriu duhet së pari të kujdeset për zhvillimin vetjak, pastaj të familjes, shokëve, miqve e kështu me radhë. “Fillo me vetveten, pastaj me ata që ke nën kujdes”, ishte porosia e tij.
Për çdo rast, Profeti Muhamed (a.s.), shqyrtonte hollësisht rrethanat përkatëse. Për shembull, ai nuk ngulte këmbë se kur bëhej një dëm, ishte detyra e të dëmtuarit që të gjente mënyrën më të përshtatshme për ndreqjen morale të dëmtuesit. Në qoftë se dëmtuesi nuk është me të vërtetë një shpirtlig, nuk ka asnjë dyshim se në të ardhmen, ai do të përpiqet të hyjë në rrugë të mbarë. Pra një njeriu të tillë duhet t’i jepet rasti që të përmirësohet, duhet të mëshirohet dhe të falet. Por, në qoftë se dëmtuesi është me të vërtetë i zvetënuar dhe mund ta interpretojë faljen si shenjë dobësie apo janë aspak të përshtatshëm. Kështu që në këto raste keqbërësi duhet ndëshkruar, por pa e kaluar kufirin, me shpresë se ai do të detyrohet të largohet nga rruga e gabuar dhe me qëllim që të bëhet shembull për të tjerët.
Profeti Muhamed predikonte se si besimtarët e vërtetë nuk duhet të fillojnë luftën. Sipas mësimeve të tij, lufta lejohet vetëm për qëllime mbrojtëse. Edhe atëherë, në qoftë se pala sulmuese e kupton gabimin dhe shpreh dëshirën për armëpushim dhe arritjen e marrëveshjes, ne duhet t’i përgjigjemi pozitivisht për të siguruar paqen.
Një prej mësimeve themelore të Muhamedit ishte parimi se shpirti i njeriut është i pavdekshëm, se zhvillimi i tij vazhdon edhe pas vdekjes së trupit. Pasi kalonte periudhën e ndëshkimeve për t’u pastruar nga ligësitë, edhe mëkatarët do të përfshihen nga mëshira hyjnore e do të vihen sërin në rrugën e zhvillimit të përhershëm shpirtëror.
nga IMAM VEHBI ISMAILI