Ipeshkvia e Kosovës ka reaguar sot lidhur me deklaratat e kryeministrit turk Recep Erdogan gjatë vizitës së djeshme në qytetin e Prizrenit, madje duke i quajtur ato ogurzi dhe provokuese.
“Ka një kohë prej kur autoritetet e ndryshme të Turqisë provokojnë me ide neootomane, të cilat më ngacmojnë mendësinë dhe më prekin sedrën e të qenunit shqiptar. Mirëpo, me fuqinë e arsyes dhe me pasurinë shpirtërore, gjithnjë gjeja forcën për të heshtur.
Porse, fjalimi i djeshëm i z. Erdoganit në Prizren, me përmbajtje të shkapërcyem dhe fyes, me zâ padroni dhe me një performancë dalldisjeje politike, ishte ogurzi, në kundërshtim me të vërtetën historike, me realitetin e sotëm dhe pa një propozim pozitiv për të ardhmen”, thotë Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji.
Ai ka shtuar në reagimin e tij se duhet të harrohet e kaluara, por edhe vëllazëria duhet të ketë kufirin e vet.
“Popujt vëllazërohen dhe miqësohen, personat krijojnë vëllazëri dhe miqësi, por secili rri zot në shtëpi të vet. Ne mund të quhemi vëllezër, por kur vëllezërit e teprojnë, dinë t’i thonë njëri-tjetrit “ti n’shpi tane, unë n’shpi teme..Është e vërtetë që e ardhmja duhet të mësojë nga e kaluara, si “magistra vitae” (mësuese jete), që të mos përsëriten gabimet e së kaluarës. Në anën tjetër, është më se e vërtetë se popujt e qytetëruar, po edhe populli ynë në tërësi, e di fort mirë se askush s’ka arritur të ndërtojë të ardhme të ndritur, me të kaluarën. E sidomos kur e kaluara ka qenë e hidhur, e dhimbshme dhe e padrejtë. Kthimi i verbër në të kaluarën, nuk është gjë tjetër veç se fundi i ecjes drejtë së ardhmes”, vlerëson Gjergji.



.jpg)