Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Kosova pa muze te luftës së UÇK-së

Qeveria duhet të ndajë një fond të posaçëm dhe të caktohet një terren i mirë disa-hektarësh dhe të vilen të gjitha ato elemente që duhen”, tha gjenerali Kudusi Lame. Në Kosovë ende mungon një muze për luftën e fundit. Është folur që do të ketë një muze të veçantë për UÇK-në, por deri tani një gjë e tillë nuk është bërë.
Shkëlzen Dragaj, këshilltar i ministrit të MKRS, thotë se në kuadër të Muzeut të Kosovës, është sektori i historisë ku prezantohen pjesë nga lufta e fundit. “Në Muzeun e Kosovës është sektori i historisë, e ku prezantohet dhe dokumentohet edhe pjesa nga lufta e fundit në Kosovë. Sa i përket themelimit të një muzeu për luftën e fundit në Kosovë, natyrisht që do të jetë një çështje që do të shqyrtohet, por gjithsesi kjo është edhe e një niveli më të lartë institucional për t’u vendosur”, tha Dragaj.
Mungon iniciativa
Ndërkohë, gjenerali Kudusi Lame tha për “Kosova Sot” se Kosovës i duhet një muze i tillë. “Realisht Kosova duhet të ketë një muze të përgjithshëm që e ka një të brendshëm. Nuk flas për një muze të brendshëm si godinë muzeale me disa pavijone, që mund të shkruhen aty, sepse Lufta Çlirimtare e Kosovës është shumë masive, e madhe dhe me shumë pjesëmarrje, pavarësisht tentativave që përpiqen ta denigrojnë”, theksoi gjeneral Lame. Ai tutje shton se shteti duhet ta marrë këtë iniciativë. “Ka edhe shumë mjete e armatime nga të gjitha llojet, që realisht sot mund të jenë duke u dëmtuar. Kështu që mendoj që për një gjë të tillë paraprakisht duhet të jetë një iniciativë e madhe nga shtetit, atë muze duhet ta bëjë shteti. Qeveria duhet të ndajë një fond të posaçëm dhe të caktohet një terren i mirë disa-hektarësh dhe të vilen të gjitha ato elemente që duhen”, nënvizoi ai. Gjenerali shtoi se për të themeluar një muze të tillë nuk duhet ndonjë shpikje e madhe, sepse të tillë ka mjaft nëpër vende të ndryshme. “Unë kam parë muze të tillë të mrekullueshëm dhe nuk është ndonjë vështirësi të krijojmë, duke u nisur edhe nga këto përvoja, andaj nuk duhet të bëhet një shpikje, apo si duhet ta bëjmë, sepse ka përvoja, por duhet dëshira e mirë për ta bërë që realisht është e domosdoshme dhe të vihen në dispozicione dhe këtë duhet ta bëjë shteti, por unë nuk e di se shteti i Kosovës është i angazhuar që ta bëjë”, tha ai.
Papërgjegjësi e institucioneve
Ndërkaq, publicisti dhje profesori Nusret Pllana e quan papërgjegjësi të institucioneve moshapjen e një muzeu të tillë. “Është papërgjegjësi totale e institucioneve tona kompetente që i kanë lejuar vetes këtë “komoditet”, për të kaluar më shumë se 14 vjet pas luftës gjenocidale në Kosovë, e të mos themelohet një muze i gjenocidit serb mbi shqiptarët, dhe i cili do të shërbente si një adresë e patejkalueshme për çdo delegacion të jashtëm që do të vinin ta vizitonin Kosovën. Në këtë mënyrë, ne shqiptarët e përgjakur e të masakruar aq shumë nga regjimi fashist serb do ta ruanim kujtesën historike edhe përmes këtij objekti muzeal, që nuk do të duhej të ishte i vetmi në Kosovë”, tha profesori i UP-së, Nusret Pllana.