Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Pseudo artistët dhe Teatri

Pseudo artistët me boshllëkun e tyre intelektual, rrezikojnë ardhmërinë e teatrit kosovar. Jo harmonia në mes imazhit të jashtëm dhe kapacitetit intelektual që ata posedojnë i ka kthyer të tillët në brejtës të rrezikshëm ndaj të kaluarës dhe të tashmes, shpresojmë që kjo të mos e përcjell teatrin edhe në të ardhmen!
Historia e Teatrit Kosovarë e ndërtuar me sakrificën e artistëve kolos, sot po brehet nga artistë të sajuar të cilët janë të gatshëm të devalvojnë gjithçka për të ardhur në shprehje vet. Konkurrenca në art ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë. Por, vrasja e një vepre artistike për të ardhur në shprehje një vepër tjetër që në fakt është kopja e zbehtë e saj, është më shumë se krim. Rreziku përshkallëzohet atëherë kur krimineli nën petkun e heroit fillon të gjykojë mbi vlerën e së kaluarës dhe i jep vetes të drejtën e tutorit për brezat e ardhshëm. Për dallim nga krimineli që vret fizikisht e i cili kthehet gjithmonë në vendin e krimit në mënyrë të pa ndërgjegjshme nga kureshtja naive dhe shpesh i penduar. Brejtësit e artit kthehen në vendin i krimit me ndërgjegjeje të plotë dhe me planin A,B,C nën mangë për fushatën e re...
Ndër shumë të tjera; shfaqja "Tregimi Zoologjik", e realizuar në teatrin DODONA si provim diplome në qershor të viti 2008 (me vet iniciativën time si regjisor), nga individ të caktuar së pari u duartrokit zëshëm pastaj pandjeshëm filloi të plaçkitet nga brenda me një gjakftohtësi djallëzore. Pas suksesit që pati kjo shfaqje në festivalin internacional "SKAMPA" Shqipëri, iu bë ftesë "ad`hoc" për në festivalin e teatrove amatore në Ferizaj, ku paraprakisht ishte përgatitur skenari që shfaqja të gjuhet me gurë nga ana e "artistëve impotent". 
Suksesi i radhës ishte pranimi i kësaj shfaqjeje në konkurrencë në festivalin internacional të Egjiptit "CIFET", ftesë e cila u anulua një ditë para hapjes së festivalit nëpërmes ambasadave të shteteve të ish Jugosllavisë , (Sipas arsyetimit të stafit të festivalit: " Është krijuar një lidhje e shkurt nëpërmes shërbimeve sekrete të shteteve të ish Jugosllavisë dhe kjo pamundëson pjesëmarrjen tuaj në festival" ). Në atë kohë teatri Dodona pat kërkuar nga MKRS që shfaqjes në fjalë t'i organizohet një turne mbarëkombëtarë me mjetet e dedikuara për udhëtim në festivalin e Egjipitit dhe kjo kërkesë u miratua, por turneu nuk u realizua asnjëherë ndërsa mjetet financiare u zhdukën. Menjëherë pas kësaj u realizua kopja e parë e shfaqjes "Tregimit Zoologjik" pastaj kopja e dytë, e tretë... Kjo ndikoi që të anulohet ftesa për pjesëmarrje në festivalin e teatrove në Dibër me pretekst se aktorët e shfaqjes do të udhëtojnë për një festival në Algjeri, udhëtim i cili nuk u realizua asnjëherë, por u shfrytëzua si pretekst që të anulohet pjesëmarrja në festivalin e Dibrës. Pastaj u bllokua ftesa për pjesëmarrje në festivalin "Kosova infest" në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Tashmë të gjithë e kuptuan se shfaqja "Tregimi Zoologjik" është pengesë për suksesin e kopjeve të saj të zbehta dhe si e tillë duhet të mos jetojë më as si pjesë e repertorit të teatrit Dodona.
Është pafytyrësi, që pas gjithë kësaj që ka ndodhur e shumë të tjerash që nuk u thanë; pesë vite më vonë të merret si shembull "hiperbolitik ndërkohorë " po e njëjta shfaqje e realizuar si provim diplome krahas një shfaqjeje ikonë si "Erveheja". Ose hiperbola të zgjatet si metaforë për të bërë krahasime mes regjisorëve Ikona dhe regjisorëve relativisht të rinj, të cilëve në njërën anë u pritet çdo mundësi të realizojnë projektet e tyre, qoftë edhe studentore, ndërsa në anën tjetër lavdërohen në sy të të gjithëve, për t'u qitur hi syve dhe për të kamufluar të vërtetën.
Të deklarohet publikisht se një teksti kombëtar të një shfaqjeje ikonë si "Erveheja" i ka dalë moda dhe nuk i flet më publikut të kohës, madje as si "syzhe", është njësoi si të thuhet se "Elektra" e Eskilit, "Antigona" e Sofokliut, "Medea" së Euripidit ose "Othello" i Shekspirit tashmë janë vepra të tejkaluara dhe nuk përkojnë me realitetin kohor në të cilin ne jetojmë. 
Konstatoj se nga mundësia për realizim në "TKK" duhet të privohen dramat që trajtojnë tematika antikombëtare dhe dramat e kopjuara nga interneti e të paraqitura si autorësi origjinale e që nuk janë të pakta dhe po inskenohen në vazhdimësi.
Personalisht mendoj se figurave të tilla të cilave tashmë u ka dal boja do t’u bënte shumë mirë që të merren me vetveten para se të guxojnë të japin konstatime ose të përmendin emra të caktuar për qëllime të caktuara personale.
Shkruan: Sokol Plakolli
Autori është aktor dhe regjisor i teatrit