Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Basha – Thaçi: Shqiptarët e Maqedonisë kanë mbështetjen si shtetformues

Zbatimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit dhe garantimi i të drejtave të plota të komunitetit shtetformues shqiptar në Maqedoni, si parakusht për integrimin e rajonit në BE, ka qene fokusi i bisedës së kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, dhe kreut të PDSH-së të Maqedoniseë Menduh Thaçi i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë.

“Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet një përkrahëse e vendosur dhe e fuqishme e avancimit të të drejtave të komunitetit shteformues të shqiptarëve të Maqedonisë duke kërkuar me vendosmëri zbatimin pa vonesë dhe në mënyrë të plotë të të gjitha parashikimeve të marrëveshjes së Ohrit dhe duke kërkuar emancipimin e të gjithë shoqërisë në shtetin fqinj nëpërmjet respektimit të plotë të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni si rruga e sigurt e përparimit evropian dhe euroatlantik të Maqedonisë. Dhe në këtë kuadër një rol mjaft të rëndësishëm ka faktori politik shqiptar në Maqedoni, në opozitë apo në qeveri dhe për këtë arsye kemi mbajtur dhe do të vazhdojmë të mbajmë marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi, dialogu, informimi, me të gjithë faktorin politik shqiptar”, theksoi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

“Biseduam për çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët në Maqedoni por realisht në të njëjtën kohë biseduam edhe për aspekte politike të Shqipërisë. Për shqiptarët e Maqedonisë është jashtëzakonisht e rëndësishme situata politike në Shqipëri për shkak se sa më tepër që të zhvillohet një kohezion i fuqishëm dhe funksionalizim i institucioneve të shtetit, ne ndihemi më mirë dhe më të fuqishëm, dhe e kundërta. Përsa i përket Maqedonisë, ballafaqohemi me një situatë të rëndë të bllokimit të proceseve integruese që paraqet një pengesë serioze të integrimit të shqiptarëve në sistemin e vlerave perëndimore dhe në të njëjtën kohë një gatishmëri e pashpjeguar e qeverisë për ti shkelur të gjitha marrëveshjet, qofshin të brendshme apo ndërkombëtare që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve” shtoi Thaçi.

Basha dhe Thaçi, si dy kryetarë të partive opozitare, kanë diskutuar mbi situatën politike në të dy vendet por dhe mbi shqetësimet që lindin nga qeveritë e tyre. Ky është takimi i parë, që zhvillohet mes Bashës dhe Thaçit, ku u cilësua si takim i dëshirave të mira dhe sukseseve të gjithë shqiptarëve.