Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Shqipëria e Kosova nënshkruajnë marrëveshjen për interkonjuksionin

Zyrtarë të lartë të Kosovës e Shqipërisë e quajtën këtë projekt “autostradë energjetike” . Kjo linjë interkonektive 400 kV mes dy shteteve shqiptare kap vlerën e rreth 75 milionë eurove, ndërsa mundëson rritje të shkëmbimit energjetik për Kosovën nga 250 megavat në mbi 600 megavat.

Qeveria e Kosovës do të investojë 16 milionë nga buxheti i saj, 17 milionë do të merren kredi nga Banka gjermane për zhvillim “KFVV”, ndërsa qeveria shqiptare, ndërkaq do të kontribuojë me gjithsej 42 milionë euro, 40 milionë euro kredi gjithashtu nga “KFVV- ja” gjermane dhe 2 milionë nga buxheti i saj.

Sipas projektit parashikohet që të rritet sasia e energjisë për Kosovën nga 250 megavat të arrijë në mbi 600 megavat, ndërsa rrjeti do të shtrihet në 242 kilometër.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë në Shqipëri, Damian Gjiknuri, tha se projekti është i rëndësishëm, pasi ofron përfitime të shumta për rritjen e zhvillimit ekonomik për të gjitha hapësirat mbarëshqiptare dhe rajonin në përgjithësi. E ndërkaq ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, nënshkrimin e kësaj kontrate e vlerësoi si autostradë energjetike Kosovë –Shqipëri, pasi përmes shkëmbimit të energjisë mundësohet zhvillimi ekonomik i të dyja vendeve.

Pjesë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje ishin edhe zyrtarë të ambasadës së Gjermanisë dhe asaj të Kroacisë në Kosovë.
Për ambasadorin gjerman, Peter Blomejer, ky projekt ndër tjera afron të dyja vendet me tregun evropian për fuqizimin e furnizimit me energji elektrike.

“Sot është një ditë e shënuar, pasi nënshkrimi i kësaj kontrate për këtë linjë interkonjuktive mundëson afrimin e vendeve tuaja me ato të Bashkimit Evropian për shkëmbim të energjisë”, tha ai.

Projekti do të realizohet nga kompania kroate “Dalekovod” dhe ajo boshnjake “Energoinvest”.

/Start/