Katër personat duke përfituar nga veshja festive kanë hyrë të armatosur pa u vënë re nga siguria dhe më pas kanë goditur objektivin e tyre duke marrë me vete një sasi të madhe parash. Ata kanë mbajtur për disa minuta peng punonjësit e argjendarisë, ndërkohë që menjëherë pas grabitjes janë larguar nga vendi i ngjarjes duke shfrytëzuar maskimin, pa u vënë re nga askush.
Menjëherë pas marrjes së informacionit forca të shumta të policisë kanë mbërritur në qendrën tregtare dhe kanë nisur hetimet. Fillimisht u morën në pyetje dëshmitarët okularë dhe po vëzhgohen kamerat e sigurisë për të siguruar të dhëna që do të conin në identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve.
Pikërisht gjatë kësaj kohe në afërsi të fshatit Lanabregas një patrullë policie raportoi për shkëmbim zjarri me disa persona. Sipas informacioneve paraprake dyshohet se personat që kanë qëlluar ndaj patrullës janë të dyshuarit për grabitjen e argjendarisë.
Ata kanë braktisur dhe djegur automjetin me të cilin po udhëtonin duke vazhduar arratisjen në këmbë. Pavarësisht djegies, policia ka mundur të shquajë targat e mjetit dhe po punon për identifikimin e pronësisë së tij dhe për të mësuar nëse ai ishte i vjedhur.
Në vendin e grabitjes ka mbërritur edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, ndërsa kërkimet për kapjen e autorëve janë zgjeruar në zonat përreth fshatrave Lanabregas dhe Surrel.
Një skenë e ngjashme ndodhi edhe një ditë më parë në Fushë-Kruje. Disa persona të armatosur pasi grabitën dogjën automjetin e tyre në afërsi të vendit të ngjarjes dhe iu larguan policisë, pavarësisht të postblloqeve të shumta që u ngritën./TCH/



