Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Metoda e Profetit Muhamed në përballimin e sfidave

Profeti Muhamed (a.s.) përballoi sfidat më të ashpra nga ana e jobesimtarëve dhe idhujtarëve. Ata e sulmuan atë me të gjitha akuzat që, në sytë e njerëzve, ia dobësonin pozitën e tij si i Dërguar. Kështu, në fillim e quajtën poet që kishte sjellë një stil të ri në poezi, çka e ngrinte atë mbi poetët e kohës, të cilët nuk zotëronin ndonjë pozitë të shenjtëruar në shoqërinë e tyre, sepse poetika nuk të bënte njeri udhëheqës. Pastaj e quajtën fallxhor që i tërhiqte zemrat e njerëzve me anë të magjisë. Më pas, akuzat u përshkallëzuan edhe më keq, duke i thënë se trillonte gënjeshtra për Allahun, kur thoshte se ishte i dërguar. Pastaj akuzat vajtën edhe më tej, duke e quajtur mesazhin profetik: “përralla të popujve të lashtë; të cilat i ka vënë t’i shkruhen e t’i lexohen atij në mëngjes e mbrëmje” (El-Furkân: 5). Gjithashtu, i thanë: “Atë e mëson një njeri” (En-Nahl: 103).

Zoti iu kundërpërgjigj këtyre akuzave në shumë vargje kuranore: “Ky (Kuran) është vërtet fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari të nderuar (Muhamedit a.s.) e nuk është fjalë poeti; sa pak që besoni! Nuk është as fjalë e ndonjë falltari; sa pak që po reflektoni! Ai është shpallje e zbritur nga Zoti i botëve!” (El-Hâkka: 40-43); “Nëse ata thonë: “Ai (Muhamedi) e ka trilluar atë (Kuranin)”, thuaju: Atëherë, sillni një sure të ngjashme me të dhe thirrni (në ndihmë) kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën”(Jûnus: 38); “Ne e dimë mirë që ata thonë: “Atë e mëson një njeri”! Por ai për të cilin flasin, flet në gjuhën e të huajve, kurse ky (Kurani) është në gjuhën e qartë arabe”. (En-Nahl: 103); – “Thuaj (o Muhamed): Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj gjykoni për shokun tuaj (Muhamedin)…”. (Sebe’: 46).

Vëmë re se ligjërimi kuranor nuk niset me stilin e refuzimit të menjëhershëm, por me stilin e përcaktimit të mënyrës së të menduarit. Nëse jobesimtarët e akuzojnë Muhamedin (a.s.), atëherë Kurani i fton ata të shkëputen nga turma, në të cilën njeriu humb personalitetin e tij të pavarur në mendim, veçanërisht kur atmosfera është e rënduar nga urrejtja, armiqësia dhe emocionet. Pastaj i fton ata të ngrihen sinqerisht për Zotin, në mënyrë individuale apo në grup, me qëllim që të vijnë në vete e të arsyetojnë, duke shfrytëzuar atmosferën e qetësisë mendore dhe analizës objektive. Kështu, le të studiojnë fjalët e Muhamedit (a.s.), veprimet dhe marrëdhëniet e tij me njerëzit e me jetën. Pasi të bëjnë këtë, do të kuptojnë se njeriu i tyre ka ardhur për t’i paralajmëruar njerëzit për dënimin e ashpër të Zotit, nëse ata nuk ndjekin vijën e drejtë të mesazhit të tij. Kjo është metoda që përfaqëson rrugën kuranore në përballjen me tjetrin edhe në një situatë qëndrimi agresiv kundër vetë Profetit (a.s.), i cili, nuk reagoi me ashpërsi dhe as me nervozizëm, por me gjakftohtësi, urtësi dhe mençuri.