Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati njoftoi para disa ditëve se do ketë shkurtime në ambasadat shqiptare por dhe në personelin e ambasadave që do të mbeten për efekt të mungesës së fondeve.
Burime brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme u shprehën për Shqiptarja.com se në projektin fillestar që po hartohet dhe është në përfundim në këtë dikaster, rezulton se janë nëntë ambasada shqiptare nëpër botë të cilat do të mbyllin dyert në një të ardhme shumë të afërt, për shkak të vështirësive financiare që po kalon vendi por dhe shërbimi diplomatik.
Sipas projektit që po hartohet në Ministrinë e Jashtme, mësohet se do të mbyllë dyert ambasada shqiptare në Bosnjë-Hercegovinë, vend të cilin do ta mbulojë ambasada jonë në Slloveni, po ashtu dhe Danimarkë, të cilën bashkë me Norvegjinë do t’i mbulojë ambasada jonë në Suedi, në Kroaci, të cilën do ta mbulojë ambasada jonë në Slloveni, po ashtu dhe në Malin e Zi, e cila do jetë konsullatë dhe do ta mbulojë ambasada jonë në Serbi.
Por do mbyllen dhe disa ambasada në vendet arabike, të ngritura në kuadër të anëtarësimit në Konferencën Islamike dhe ku vetë këto vende paguanin qiranë e ndërtesës ku vendosej selia e trupit diplomatik shqiptar.



