Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Gjermania Shqipërisë: Veprime konkrete kundër kriminalitetit të organizuar

Tirana duhet të marrë masa të vendosura në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Ajo mund të jetë e sigurtë për mbështetjen e partnerëve evropianë dhe të Gjermanisë, i tha DW-një zëdhënës i qeverisë gjermane.
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, në deklaratën qeveritare (18.12.2013) duke folur mbi çështjen e zgjerimit të BE-së, ku në diskutim ishte dhënia e statusit kandidat Shqipërisë dhe hapja e negociatave të antarësimit me Serbinë, u shpreh, se Gjermania pajtohet me vendimin për shtyrjen e dhënies së statusit të kandidatit Shqipërisë. Merkel theksoi gjithashtu, se Shqipëria duhet të miratojë edhe ligje të tjera për reforma. Se për çfarë reformash bëhet fjalë konkretisht, një zëdhënës i qeverisë federale gjermane deklaroi për DW, se „muajt e fundit Shqipëria ka iniciuar hapa pozitivë reformash. Për t’u përmendur janë ndër të tjera miratimi i ligjit për shërbimin publik, ligji për Gjykatën Kushtetuese dhe direktivat procedurale për parlamentin. Edhe në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar janë ndërmarrë masa për t’u përshëndetur. Këshilli i Përgjithshëm (Këshilli për çështje të përgjithshme, GAC) mbi këtë bazë e inkurajon Shqipërinë të ndërmarrë përpjekje të mëtejshme për implementimin e strategjive reformuese në fushën e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, të zgjerojë legjislacionin përkatës dhe pret hetime të mëtejshme pro-aktive si dhe ndjekje penale edhe në fushën e kriminalitetit të organizuar. Për këtë Komisioni do të raportojë. Mbi bazën e këtij raportimi Këshilli i Ministrave të BE-së në qershor do të trajtojë sërish çështjen e statusit të kandidatit për Shqipërinë.“


Zbatimi i legjislacionit reformator kriteri vendimtar për statusin


Kancelarja Merkel nënvizoi në deklaratën qeveritare, se BE dhe Gjermania do të vazhdojnë ta mbështesin qeverinë në Tiranë në përpjekjet e saj për realizimin e reformave e veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. Sipas zëdhënësit qeveritar, mbështetja e BE-së dhe e Gjermanisë për Shqipërinë konsiston në ndihmën financiare si dhe në ekspertizën që jepet në shumë fusha. „Në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar bashkëpunojnë autoritetet e ndjekjes penale. E rëndësishme është që qeveria shqiptare edhe më tej të marrë masa të vendosura në këto fusha. Ajo mund të jetë e sigurtë për mbështetjen e partnerëve evropianë dhe të Gjermanisë.“


Qeveria gjermane ka nënvizuar vazhdimisht, se kriteri vendimtar për dhënien e statusit të kandidatit nuk është vetëm legjislacioni reformator, por para së gjithash zbatimi i tij, sipas zëdhënësit qeveritar.