Liburn Aliu, deputet i Vetëvendosjes në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Presheva jone”, gjendjen në Luginën e Preshevës e ka cilësuar alarmante dhe të brishtë, as në luftë e as në paqe.
Deputeti Aliu ka paralajmëruar liderët e Luginës: Jo vazhdim te dialogut me Beogradin, por eliminim te marrëveshjes se Brukselit për kthimin e identitetit te shtetit te Kosovës.
”Nuk është e mirë të bisedohet ashtu siç ata po dëshirojnë (Beogradi). Problemet e shqiptarëve të Luginës nuk mund të zgjidhen brenda asaj se çka ofron Serbia. Shqiptarët e Luginës së Preshevës mund të bisedojnë me Beogradin për çështje teknike, administrative, po jo që këto biseda të kalojnë ne stadin politik. Beogradi po e kërkon këtë që me shumë pak ta përmbylle çështjen e shqiptarëve te Luginës së Preshevës, ndërkohe që në anën tjetër në Kosovë kemi pakicën serbe, e cila tashmë ka fituar asociacionin e komunave serbe dhe ende nuk është e kënaqur. Nëse dëshirojmë zgjidhje të problemit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duhet menjëherë të hidhen poshtë marrëveshjet, të ndërpriten negociatat me Brukselin”, ka deklaruar ne fillim deputeti Aliu për “Presheva jone”.
Lidhur me (mos) përfshirjen e Preshevës ne negociatat e Brukselit ne vazhdim Liburn Aliu ka pohuar se “ka qenë e qartë se këto negociata nuk do të flitet për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. Ne kemi qenë në vitin 2011 me grupin parlamentarë në Bruksel dhe kemi vizituar institucione të ndryshme atje dhe në atë vizitë e kemi hapur kudo çështjen e Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve atje, kemi pasur mjaftë të dhëna në lidhje me presionin atje që e kemi prezantu, shpërnguljet, dëbimet që kanë ndodhur viteve të fundit dhe mund të them që zyrtarët të cilët i kemi taku e sidomos ata të komisionit europian të cilët kanë pasur të bëjnë drejtpërdrejt me negociatat që priteshin të mbaheshin. Qeveria jonë kishte shprehur gatishmërinë për ato bisedime dhe ne e kishim të qartë dhe menjëherë pas kthimit nga Brukseli ju kemi drejtuar kuvendit, nëpër konferenca e me çdo mënyrë jemi munduar që t’ia bëjmë të qartë si përfaqësuesve politikë në Preshevë edhe organizatave të ndryshme këtu në Kosovë që ta heqin dilemën se në këto negociata do të flitet për Preshevën në mënyrë që të mos shkojnë në këto negociata, pa i vendosur kushtet e Serbisë ndër të tjera do të ishte vendosja e kushtit për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit do të thotë për të drejtat e shqiptarëve atje në Serbi. Ne kemi qenë kundër asaj se ndoshta shqiptarë e Luginës së Preshevës do të jenë pjesë e atyre bisedimeve, këtu ka pas subjekte që e arsyetonin pjesëmarrjen në këto negociata duke thënë se ndërkohë do të hapej edhe çështja e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, por ne kemi kërkuar pra kushtëzim të këtyre bisedimeve.
Pas gjithë asaj që ndodhi ne filluam me protesta duke bërë thirrje edhe nga subjektet që veprojnë në Luginë të Preshevës që shprehen gatishmërinë që të bashkrendohemi në protesta bashkë, ne pra kemi qenë të gatshëm që ta vendosim potencialin tonë në funksion të këtyre protestave, mendoj që ndër pengesat kryesore kanë qenë subjektet këtu brenda pra jo vullneti i shqiptarëve atje. Se cilat kanë qenë arsyet që përnjëherë gjërat ndryshuan në terren nuk e di, nëse kanë qenë shantazhet apo diçka tjetër unë nuk mund ta di por vullneti ka munguar nga këtu. Kulmi ka qenë kur mes dy takimeve Thaqi-Daciq Serbia e hoqi lapidarin për t’i treguar Thaçit dhe të gjithëve se ja çfarë unë mund të bëjë dhe nuk ke çka me më bere, e për çudi Thaçi e drejtoi gishtin kah shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, kjo ka qenë hipokrizia më e madhe. Nëse dëshirojmë zgjidhje të problemit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duhet menjëherë të hidhen poshtë marrëveshjet, të ndërpriten negociatat, një e mirë në krejt këtë situatë të rëndë është se e kemi një përshtypje që tek qytetarët ka filluar të ndodh një vetëdijesim, situata është duke shkuar kah përkeqësimi, dhe përkeqësimi i thellë do ta vërë në dyshim të tërë procesin dhe do të kërkohet zgjidhje e re, e tërë kjo çka ka ndodhë ka qenë një rrugë e padrejtë e cila i ka thelluar padrejtësitë ndaj shqiptarëve dhe po shihet se nuk po ofrohet zgjidhje deri në fund, nga ne gjithë është kërkuar të jemi të qetë dhe kemi qenë të qetë për hir të stabilitetit e kemi ruajtur stabilitetin në kurriz tonin pra në Ballkan stabiliteti i Ballkanit është mbajtur në kurrizin e shqiptarëve. Shqiptarëve të Preshevës vazhdimisht iu është thënë “ju rrini të qetë se për shkak tuajin mund ta humbim Mitrovicën dhe tash si duket qeveria e Kosovës me politiken e saj po e jep fale jo vetëm Veriun, por edhe Preshevën…”. /Presheva jonë/



