Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Sadiku bën një trampolinë të rëndësishme për karrierën e tij futbollistike. Sipas mediave zvicerane, 22-vjeçari i Luganos do të transferohet te FC Zurich në Janar të vitit të ardhshëm. Negociatat janë finalizuar me një fund të lumtur përsulmuesin kuqezi që ka treguar një formë të mirë në Ligën e Dytë Zvicerane me 52 gola të shënuar në 82 ndeshje të luajtura.
Kontrata e 22-vjeçarit me Luganon skadonte në Qershor të vitit 2014, prandaj skuadra modeste vendosi të bënte një hap pas, duke pranuar ofertën e gjigandëve të Zurich-ut për të mos e humbur talentin shqiptar me parametra zero.
Në marrëveshjen e arritur mes dy klubeve përfshihet edhe klauzola ku Zurich-u është i detyruar t’i paguajë një pjesë të shumës skuadrës së Luganos nëse në të ardhmen vendos ta shesë bomberin. Sadiku u aktivizua te Lugano në vitin 2012 dhe gjatë dy sezoneve të fundit ai është golashënuesi më i mirë i ligës së dytë. Përpara eksperiencës me Luganon, ai ishte pjesë e klubit të Locarnos.
Ky është një lajm pozitiv për sulmuesin e kombëtares së De Biasit, pasi aktivizimi i tij në një klub prestigjoz rrit edhe mundësitë e aktivizimit titullar me kombëtaren kuqezi, pasi dilemat më të mëdha për teknikun italian janë në repartin e avancuar për shkak të alternativave të pakta.



