Ceremonitë zyrtare për festimin e 101-vjetorit të Pavarësisë kanë nisur rreth orës 11:00 në qytetin e Vlorës.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, politikanë nga Kosova ishin bashkë në ceremoninë e përvitshme të ngritjes së Flamurit në qytetin e Pavarësisë.
Ata kane bere homazhe ne varrin e Ismail Qemalit, duke nderuar burrin qe 101 vjet me pare shpalli mevetesine e Shqiperise. Pas ceremonise, Kryeministri Edi Rama deklaroi se kjo dite sherben per te kujtuar te gjithe per me shume pergjegjesi qeverisese dhe per ta çuar perpara projektin e Shqiperise Europiane. I njejti mesazh u percoll edhe nga kryeparlamentari Ilir Meta.
Aktivitete të shumta do të zhvillohen edhe në Tiranë. Ato nisen në orën 09:00 dhe përfundojnë në orën 20:00. Siparin e festave e hap panairi në rrugën pedonale “Murat Toptani”, gjatë gjithë ditës së sotme do të zhvillohen lojëra popullore në ambientet e parkut “Rinia”. Gjithashtu, Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave. Ansambli do të vendoset në sheshin para monumenteve të Vëllezërve Frashëri në orën 11:00-12:00 dhe në sheshin para Galerisë Kombëtare në orën 12:00-13:00. Ndërkohë Banda e qytetit do të performojë një sërë këngësh patriotike si dhe një repertor të përzgjedhur enkas për këto festime, përgjatë rrugës pedonale “Murat Toptani” dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. /Top Channel/



