Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Rama, Gruevskit: Jam mik i Maqedonisë

“Në Maqedoni kam ardhur si fqinj dhe si mik”. Me këto fjalë sot kryeministri i Shqipërisë Edi Rama iu drejtua qytetarëve të Maqedonisë, pas takimit që zhvilloi me homologun e tij maqedonas, Nikolla Gruevski. 

Ndërkohë duke iu referuar incidenteve të fundit në Shkup, Rama tha se Qeveria e tij me vëmendje po ndjek të gjitha zhvillimet.  “Kemi qenë dhe mbetemi të vendosur të bëjmë thirrje për qetësi, maturi dhe vetëdije, sepse mbarëvajtja e marrëdhënieve ndëretnike është sukses i përbashkët. Për ne është e domosdoshme që të kuptohet sa më mirë nga të gjithë se e ardhmja është e përbashkët dhe bashkërisht do ta ndërtojmë të ardhmen në rajon dhe në këtë vend ku shqiptarët janë pjesë shtetformuese dhe janë të angazhuar në gjithë spektrin shoqëror dhe qeverinë e këtij vendi, që janë të interesuar për implementimin e marrëveshjes së Ohrit me sukses. Ne jemi mirëkuptues për kohën që kërkojnë proceset politike. Pra edhe njëherë them se çdo shprehje dhune i çon proceset prapa”, theksoi kryeministri shqiptar.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, dy kryeministrat theksuan nevojën e ndërtimit të strategjisë së përbashkët të rajonit në rrugën e integrimeve duke vënë si cak Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO-n. 
Rama theksoi se fryma e bashkëpunimit rajonal është rritur edhe më tepër pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë mënyrë, shtoi ai, rajoni në vitin 2014 po hyn pa asnjë konflikt të hapur. 
“Marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës hapë një dritare të madhe për zhvillimin rajonal”, nënvizoi kryeministri shqiptar. 
Numri një i Qeverisë shqiptare bëri apel edhe për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, pasi që, siç u shpreh ai, ai dokument është në të mirë të të gjithë qytetarëve.
“Marrëveshja e Ohrit është një pikë e rëndësishme, e cila duhet të implementohet çdo ditë. Ai dokument paraqet bazë të mirë për suksesin e këtij vendi”, tha Rama. 
I pyetur nëse me kolegun e tij maqedonas kanë biseduar për çështjen e emrit dhe nëse ka sjellë ndonjë porosi nga Presidenti i Greqisë Karolos Papulias, Rama me përgjigje të prerë: “Kam ardhur si fqinj dhe si mik dhe jo për të sjellë porosi”. 
Numri një i Qeverisë së Shqipërisë nuk u kursye as nga mbështetja që Tirana i jep Shkupit zyrtar në rrugëtimin drejt BE-së dhe NATO-s. Ngase, siç u shpreh ai, anëtarësimi i Maqedonisë në këto struktura, do të jetë në të mirë të të gjithë regjionit, shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, por edhe vet maqedonasve. 
Ndërkohë  kryeministri Gruevski tha se vizita e Ramës në Shkup është dëshmi se dy vendet punojnë në mënyrë intensive në afirmimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore. Gruevski tha se gjatë takimit është biseduar edhe për bashkëpunimin në sferën e ekonomisë dhe mënyrat e rritjes së shkëmbimit tregtar mes dy vendeve.
“Takimi i sotëm është një impuls i fuqishëm për thellimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Shqipërisë”, theksoi Gruevski duke shtuar se bashkë me kryeministrin Rama kanë biseduar edhe në shumë tema aktuale, të cilat i prekin interesat e Shkupit dhe Tiranës, e sidomos ato që janë të lidhura me BE-në dhe NATO-n. 
“Besojmë se të gjitha sfidat mund të tejkalohen duke u mbështetur në politikat konstruktive në frymën e bashkëpunimit evropian dhe fqinjësisë së mirë, gjithmonë duke e marrë si bazë parimin e respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe duke u mbështetur në një dialog të hapur për zgjidhjen paqësore të sfidave që i kemi”, tha Grueski. 
Rama gjatë qëndrimit të tij në Shkup, mbrëmë në një darkë të përbashkët u takua me krerët e dy partive kryesore shqiptare të Maqedonisë, liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim në pushtet, Ali Ahmeti dhe liderin e Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë, Menduh Thaçi. Gjatë ditës do të takohet edhe me Presidentin e vendit, Gjorge Ivanov dhe kryetarin e Kuvendin, Trajko Veljanovski.  /SHENJA/