Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Kryqi i ri gjigant zemëron popullatën myslimane të Shkupit

Vendimi për të lejuar ndërtimin e një kryqi të krishterë, të lartë 33 metra, në kryeqytetin maqedonas ka nxitur reagime negative nga pjesa shqiptare e besimit islam.
Plani për ndërtimin e një kryqi të lartë në lagjen e aeroportit në kryeqytetin maqedonas, i cili sipas propozuesit të projektit, do të shihet edhe nga pjesa e qytetit ku dominon popullsia myslimane shqiptare, është kritikuar nga vendasit.
“Kemi mjaft kisha e xhamia. Nuk kemi nevojë për monumente të tilla", i tha BIRN-it, Adem Ahmeti, banor i moshuar shqiptar nga komuna e Çairit në Shkup.
"Ky është provokim. Tashmë kemi një kryq [66-metra të lartë] [në Shkup], i cili mund të shihet nga të gjitha anët", i tha BIRN-it një tjetër banor vendas shqiptar.
Kryqi tjetër gjigant, dy herë më i madh se i riu, u ndërtua në vitin 2001 në majë të malit Vodno në afërsi të qytetit.
“Kryqi i Mijëvjeçarit”, ishte në qendër të polemikave etnike dhe fetare në vend, të cilat u pasuan me një konflikt të shkurtër të armatosur mes kryengritësve shqiptarë dhe forcave të sigurisë.
Ashtu si shqiptarët, edhe maqedonasit etnikë, banorë të lagjes së aeroportit, nuk dukeshin të ngazëllyer nga ideja e ngritjes së një kryqi të ri.
"Kemi prioritete të tjera në komunë, çerdhe, shkolla, spitale", i tha BIRN-it Milka Kapushevska, banore e kësaj komune.
OJQ-ja “Kongresi Botëor Maqedonas”, iniciatore e projektit për ngritjen e kryqit të ri në lagjen e aeroportit që dominohet nga maqedonasit ortodoksë, thotë se kryqi do të mund të shihet edhe nga pjesët e tjera të qytetit, por nuk është menduar t’i ofendojë të tjerët.
"Kryqi nuk është konspiracion, ose provokim, por një afirmim kulturor. Ai nuk është simbol anti-islamik, por pjesë integrale e kulturës maqedonase", thuhet në deklaratën e Kongresit Botëror Maqedonas.
Kongresi, konsiderohet një organizatë konservatore, e afërt me partinë kryesore në pushtet nga qendra e djathtë, VMRO- DPMNE, e cila përshkruan Maqedoninë si "bazë të krishterimit në Evropë".
Këshilli komunal i lagjes së aeroportit, javën e kaluar vendosi të lejojë ndërtimin e kryqit me votat e asamblistëve të VMRO DPMNE-së.
Me këtë vendim, komuna i jep tokë Kongresit për ndërtimin e "një objekti të përkohshëm të karakterit kulturor dhe fetar".
Kryqi i lartë 33 metra, lartësi që simbolizon moshën kur vdiq Jezusi, duhet ndërtuar brenda një viti dhe do të financohet nga donacionet.
Vendimi për miratimin e ndërtimit të kryqit vjen pas spekulimeve në rrjetet sociale se në afërsi është paraparë një projekt investimi turk për ndërtimin e katër rrokaqiejve, të cilët mund të nxisin fluksin e blerësve myslimanë në lagjen me etni dhe religjion homogjen.
Njoftimi për ndërtimin e kryqit gjigant u bë pasi investitorët turq mohuan thashethemet se kishin planifikuar ndërtimin e një xhamie aty.
Autoritetet komunale dhe Kongresi Botëror Maqedonas, megjithatë mohuan kategorikisht idenë se kryqi kishte të bënte me projektin turk.
Shumica e popullsisë së vendit janë maqedonas ortodoksë. Shumica e shqiptarëve etnikë të vendit, të cilët përbëjnë një të katërtën e popullatës, janë myslimanë.