Skuadra e Bashkimit sado pak i është kthyer ditëve të mira. Pas dy humbjeve të njëpasnjëshme dhe bindëse ndaj Pejës dhe Sigal Prishtinës, prizrenasit janë këndjellur me fitoren e arritur ndaj Besës,
Ndeshja e luajtur në palestrën Sezai Surroi në Prizren, përfundoi me rezultat 75:64 në të mirë të Bashkimit.
Çereku i parë i ndeshjes kaloi me dominim të prizrenasve, të cilët krijuan epërsi deri në tetë pikë (18-10), derisa kjo periudhë përfundoi me rezultat 20:17.
Në gjysmën e parë të çerekut të dytë vendasit pikët i shënuan kryesisht nga treshet, ku u dalluan Dino Erceg me dy treshe dhe me një Adnan Mustafa. Megjithatë në fund të gjysmëlojës skuadrat shkuan në zhveshtore pranë rezultatit të barabartë 36-36, për të filluar gjithçka nga zero në pjesën e dytë të ndeshjes.
Seria 4:0 në fillim të çerekut të tretë përsëri krijoi epërsinë e skuadrës vendase dhe kjo epërsi u ruajt deri në fund të takimit, duke u thelluar madje deri në 14 pikë edhe 3 minuta e 35 sekonda pa mbaruar takimi.
Për Besën në këtë ndeshje debutoi përforcimi i ri amerikan, Chae Philips, i cili ishte në pesëshen e parë të pejanëve dhe e përmbylli takimin me katër pikë e tetë kërcime.
Koshashënuesit më të mirë në ndeshje ishte basketbollistët kroat të Bashkimit, Josip Blajic dhe Denis Vrsaljko, me nga 18 pikë secili, derisa te ekipi i Boris Kurtovicit u dallua David King me 14 pikë e katër kërcime.



.jpg)