Muhamedi, Profeti i Arabisë, ka luajtur mes njerëzve të tij një rol që kombinonte funksionet – e një Profeti të dalluar, burri shteti dhe reformatori. Si rrjedhojë e veprës së tij ai ka fituar respektin dhe nderimin e një numri të pafund njerëzish, muslimanë dhe jomuslimanë, kudo nëpër botë.
Ndërsa njohja jonë për njerëz që kanë luajtur role të ngjashme, duke filluar nga Moisiu, Zarathustra e deri tek Jezusi është e tejmbushur me legjenda, shpesh të paplota dhe të ngjyrosura sipas shijeve, edhe pse tregimet mbi jetën dhe veprën e Muhamedit nuk janë gjithmonë të përkryera, është fakt se ai ishte i pari dhe i vetmi njeri që jetoi dhe predikoi në dritën e plotë të historisë.
“Islami: Besime dhe Vëzhgime” nga Caesar E. Farah
Lindja e Profetit:
Historiani John Willian Draper në veprën e tij të mirënjohur, “Historia e Zhvillimit Intelektual të Evropës”, shkruan:
”Katër vite pas vdekjes së Justinianit, 569 p.k, në Mekë të Arabisë lindi njeriu që arriti të ushtronte ndikim më të madh se kushdo tjetër mbi racën njerëzore.”
Historiani i mirënjohur, Sër William Muir, në veprën e tij “Jeta e Muhamedit” shton:
”Të gjithë historianët autoritarë pajtohen në faktin se modestia dhe pastërtia që karakterizonte Muhamedin gjatë rinisë ishte diçka e rrallë për banorët e Mekës. Me karakterin e tij të drejtë dhe sjelljet e respektueshme djaloshi modest fitoi dashamirësinë e bashkëkombasve të tij. Në mënyrë unanime ai fitoi titullin El-Emin, që do të thotë “I besueshmi”.
Rinia e Profetit:
James Michener në veprën e tij të titulluar “Islami, Religjioni i Keqkuptuar” shkruan:
”I mbetur jetim në vogëli, ai ishte veçanërisht i dhembshur me të varfrit dhe nevojtarët, vejushat dhe jetimët, skllevërit dhe të nëpërkëmburit. Në moshën 20-vjeçare ai ishte një tregtar i suksesshëm, dhe shumë shpejt u bë drejtues i karvanit të mallrave të një vejushe të pasur. Kur arriti moshën 25-vjeçare, punëdhënësja e tij, duke ia njohur meritat i propozoi për martesë. Edhe pse ishte 15 vjet më i ri, ai pranoi të martohej, dhe deri në çastin e vdekjes së saj ai u soll si një bashkëshort i devotshëm.”
Mesazhi i Profetit:
Shkrimtari i famshëm britanik, Thomas Carlyle, në librin e tij “Mbi Heronjtë, Adhurimin e Heronjve dhe Heroiken në Histori”, vëzhgon:
“Ah, në këtë djalosh zemërmadh me sy të zinj rrezëllitës dhe shpirt të butë e pranues ndaj çdo elementi të një shoqërie që gjallonte mes egërsisë kishte vend për të tjera mendime, përtej ambicies. Një njeri madhështor që fliste me heshtje. Ai ishte një nga ata njerëz që nuk mund të sillej ndryshe, vetë natyra e kishte përzgjedhur të ishte i sinqertë. Ndërsa të tjerët gjallonin mes të rëndomtës dhe thashethemeve, të kënaqur me mjedisin në të cilin jetonin, ky njeri nuk e shikonte veten pjesë të të njëjtit mjedis; ai ishte i vetmuar me shpirtin e tij dhe realitetin e dukurive që e rrethonin. Misteri i madh i qenies, siç e përmenda edhe më parë, vetëtiu mbi të, me frikërat dhe shkëlqimin e tij; asnjë fjalë nuk mund të fshihte faktin e pamohueshëm. “Këtu jam Unë”; ky sinqeritet, siç ne e quajmë, përmban vërtet diçka hyjnore. Vepra e një njeriu të tillë është thirrje e drejtpërdrejtë nga zemra e natyrës. Njerëzit e dëgjojnë atë dhe duhet ta dëgjojnë si asgjë tjetër; gjithçka ndryshe është dredhi e padobishme.”
Motivimi i Profetit:
Dr. Marcus Dods në veprën e tij “Muhamedi, Buda dhe Krishti”, shkruan:
“Sigurisht që ai trupëzonte dy karakteristikat më të rëndësishme të rendit profetik. Ai pa të vërtetën mbi Zotin, çka bashkëkohësit e tij nuk mund ta shikonin, dhe kishte një prirje të parezistueshme dhe impulsive për ta proklamuar këtë të vërtetë.”
John Davenport në veprën e tij të shquar, “Një Apologji për Muhamedin dhe Kur’anin”, pranon ndershmërinë dhe sinqeritetin e pretendimit të Muhamedit se është i dërguar i Zotit, kur thotë:
”Sinqeriteti i Muhamedit konfirmohet nga fakti se të parët persona të konvertuar në Islam ishin miqtë e ngushtë dhe familjarët e tij, të cilët e njihnin më së miri atë në jetën private. Asnjëri prej tyre nuk dalloi qoftë edhe një mospërputhje mes fjalëve dhe veprave të tij, çka vërehet pashmangshmërisht tek një hipokrit mashtrues kur gjendet brenda mureve të shtëpisë.”
Përkushtimi i Profetit:
W.Montgomery Watt në librin e tij “Muhamedi në Mekë” shkruan:
”Gatishmëria e tij për të përballuar persekutimet në emër të besimit, morali i lartë i njerëzve të cilët i besuan dhe e konsideruan prijës, dhe madhështia e arritjes së tij të fundme – janë argumente që mbështesin integritetin e tij personal. Ta paraqesësh Muhamedin si mashtrues krijon më shumë probleme seç zgjidh. Më tej akoma, asnjë figurë madhore e historisë nuk është vlerësuar aq anësisht nga perëndimi sa Muhamedi. Prandaj, jo vetëm duhet të pranojmë integritetin dhe ndershmërinë që përbën thelbin e qëllimit të Muhamedit, nëse duam vërtet ta kuptojmë, por duhet të fshijmë edhe të gjitha gabimet që kemi trashëguar nga e shkuara…”
/profetimuhamed.info/



