Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Prezantohet kolona e veprave të Adem Demaçit

Një nga figurat e spikatura politike e krijuese kosovare, Adem Demaçi ishte mbrëmë mysafir në universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ku në një ambient mes miqsh, kolegësh të fushave të letrës, u prezantua kolana e plotë e veprave të tij ndër vite. 

Në këtë mbrëmje, të mbështetur edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, në kumtesat e mbajtura, akademikë nga Shkodra dhe Kosova përcollën mendimet e tyre mbi veprën dhe jetën e Demaçit. 

Për prof. as. dr. Mimoza Priku, dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, krijimtaria letrare e kësaj figure të rëndësishme kosovare, si një gjetje letrare artistike dhe një prurje gjuhësore, përqendrohet si në artin e të shkruarit, ashtu edhe në atë të mjeshtërisë së gjuhës. 

Ajo tha se në kolanën promovuar në Shkodër, me titujt e tregimeve, romaneve, dramës dhe poezive, si “Fërkime”, “Gjarpinjtë e gjakut”, “Libër për Vet Mohimin”, “Heli e Mimoza” , “Nëna Shegë e pesë gocat”, “Shkrumbnajë e dashuri”, “Alb Prometeu”, “Politika dhe pushka”, “Tung vargu im”, zbulohet shkrimtari origjinal, stili i veçantë, fjalëkrijues, tregimtari, poeti, dramaturgu, duke e renditur veprën letrare të Demaçit, si një zë të fuqishëm dhe një vend të rëndësishëm në historinë e letërsisë kombëtare shqipe. 

Me kumtesën: “Jeta dhe vepra e Adem Demaçit”, kryetari i LSHK, prof. dr. Shyqyri Galica vuri në dukje se në veprën e Demaçit jepet realiteti i jetës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe më vonë në Serbi, njofton BW. 

“Për mua është kënaqësi kur shoh se vepra ime po kuptohet dhe po përjetohet. Këtu më quajtën hero, por unë më shumë se i tillë, ndihem një ushtar i thjeshtë i popullit tim”, u shpreh mes emocionesh Demaçi. Ai vuri në dukje se ndikimet më të mëdha në formimin e tij, duke mos lënë mënjanë figurën e nderuar të Fishtes, kanë qenë ato të Koliqit të madh, sidomos në prozën e tij.