Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Portreti i Profetit Muhamed a.s.

Profeti (a.s.) nuk la portret fizik apo fotografi. Kjo lidhet me parimet themelore mbi të cilat ndërtohet besimi islam.Vlera e personalitetit të Muhamedit (a.s.) nuk qëndronte vetëm në pamjen e jashtme, por edhe në vetitë e brendshme tëtij, në moralin e lartë, në idetë dhe mesazhet që ai i përcolli njerëzimit. Kjo bëri që bashkëkohësit dhe shokët e Profetit (a.s.) t’u përcillnin me kujdesin më të madh brezave që do të vijnë, kujtimet dhe përshtypjet e tyre të pashlyeshme nga jeta intime, familjare e shoqërore dhe rreth tipareve fizike të Profetit (a.s.) Këto tipare demonstronin karakterin, moralin, edukatën, zgjuarsinë, vendosmërinë dhe fisnikërinë e tij.

Profeti (a.s.) ishte me shtat pak më shumë se mesatar, kishte trup të rregullt. Gjoksin e kishte të gjerë, midis dy shpatullave të forta mbante vulën e profecisë. Ngjyrën e lëkurës e kishte të bardhë. Fytyrën e kishte të bukur dhe vezake. Aty dalloheshin lehtë shenjat e gëzimit dhe të dëshpërimit. Nuk i ndahej buzëqeshja. Ballin e kishte të gjerë, vetullat të holla e të plota, qerpikët e gjatë e të dendur, si të ishin ngjitur me njëri tjetrin; hunda e rregullt shkonte poshtë në mënyrë harmonike; gojën e kishte jo të madhe, buzët e holla e të kuqërremta, dhëmbët të bardhë. Mes vetullave ndodhej një damar që fryhej rrallëherë kur zemërohej. Sytë i kishte të zinj e të mëdhenj. Flokët kaçurrela dhe të zeza shpeshherë i binin mbi supe në formë gërsheti, por më shumë i mbante të shkurtër, sa arrinin deri tek veshët.
Mjekrën e linte të rritej, nuk e priste, por gjithmonë e krihte me kujdes. Mustaqet i priste shkurt. Kur Profeti (a.s.) ndërroi jetë, në flokë dhe në mjekër i numëroheshin pak thinja. Kishte një zë të bukur që dëgjohej e kuptohej. Fliste ngadalë dhe çështjet e rëndësishme i përsëriste deri në tri herë. Ecte drejt, me hap të sigurt e të shpejtë; kur i duhej, kthehej mbrapa me gjithë trupin. Kur bashkëbisedonte me të tjerët, i shikonte drejtë e në sy, u qëndronte aq pranë sa t’u vendoste dorën e djathtë në sup; asnjëherë nuk ishte i pari që t’ua kthente shpinën shokëve, kur largoheshin. Të gjithë historianët dhe studiuesit që u morën me trashëgiminë e tij, thonë se Profeti (a.s.) bënte një jetë shumë të thjeshtë. Muret e shtëpisë së tij ishin prej balte. Çatia mbulohej me degë palmash. Flinte mbi një lëkurë ose dyshek të mbushur me kashtë hurmash Arabie.
Ushqimi i tij i rregullt ishte hurma e Arabisë dhe qumështi. I pëlqente mjalti dhe mishi, por i përdorte këto rrallë. Gjithnjë hante dhe pinte me dorën e djathtë, gotën e ujit e pinte tri herë me ndërprerje. Veshja e tij e thjeshtë përbëhej prej një këmishe dhe një copë pëlhure që e mbështillte rreth belit dhe që i shkonte deri poshtë gjurit ose prej një këmishe dhe një palë pantallonash. Ndihmonte rregullisht në punët e shtëpisë. Ndizte vetë zjarrin, fshinte shtëpinë, milte dhitë, arnonte rrobat dhe qepte këpucët. Në portretin profetik kishte një përputhje të plotë e harmoni pamja fizike me botën e tij shpirtërore. Ishin pikërisht virtytet shpirtërore të Profetit (a.s.) që e rendisin dhe bëjnë atë më të madhin personalitet të njerëzimit. Në kurmin e tij të pastër bashkoheshin në një vitaliteti, bujaria, ndjeshmëria, drejtësia: kishte një pamje të bukur, një botë shpirtërore të përsosur dhe një trup të pashoq.
Profeti (a.s.) nuk thoshte fjalë të tepërta, çdo fjalë e tij ishte këshillë e urtësi. Profeti (a.s.) ishte i butë, i matur, modest. Ai nuk e tepronte në të qeshur, nuk qeshte me të madhe.Ai ishte gjithmonë i buzëqeshur. Tek njerëzit ai vlerësonte sjelljen, moralin, formimin dhe edukatën e tyre. Të njohurve u bënte vizita dhe u dërgonte dhurata. Profeti (a.s.) ishte vazhdimisht i mendueshëm. Ai nuk fliste kur nuk ishte e nevojshme. Heshtja e tij ndonjëherë vazhdonte gjatë. Kur fillonte të fliste, mendimin nuk e linte të papërfunduar. Shume ide e mendime i shprehte në mënyrë të qartë e koncize. Fjalët i dallonte mirë nga njëra-tjetra. Zemërohej rrallë dhe në ato raste kur bëheshin padrejtësi e thuheshin të pavërteta ose bëheshin dëshmi të rreme; kur zemërohej nuk ngrihej nga vendi. Ishte shumë i përmbajtur dhe qetësohej sapo e drejta të vihej në vend. Asnjëherë nuk është zemëruar për çështje vetjake. Nuk hynte në shtëpinë e askujt pa marrë leje. Kur hynte në kuvend apo ambiente publike nuk lejonte që t’i ngriheshin në këmbë. Në orar ishte shumë i përpiktë. Shpesh shihej i gëzuar, i butë dhe jo i vrazhdë apo i ashpër. Nuk ka qenë zhurmues as qortues i madh, as lavdërues i tepruar. Përgjigjej gjithmonë me “urdhëro”, kujtdo që e thërriste. Ai bënte shaka me shokët e tij, përzihej me ta dhe bënte gara, luante me fëmijët e tyre dhe i mbante në prehër . Në jetëshkrimet e shohim Muhamedin (a.s.) edhe si misionar të besimit islam, edhe si burrë shteti, edhe si komandant, edhe si legjislator, edhe si familjar, edhe si shok e mik, edhe si njeri të thjeshtë. Por jeta e tij nuk mund të kuptohet e vështruar vetëm në këto aspekte, sepse në çdo moment të jetës së tij ai drejtohej nga shpallja hyjnore dhe udhëhiqej nga porositë e Allahut xh. sh..