Naim Tërrnava rizgjidhet për të tretën herë myfti i Kosovës. Tërrnava i cili nuk mbajti premtimin për bashkimin e hoxhallarëve të Luginës, sot është zgjedhur me shumicë absolute të votave në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), ku nga 59 vota për Tërrnavën kanë votuar 53 kuvendarë.
Në këtë garë, Tërrnava nuk kishte kundër kandidatë, derisa rizgjedhja e tij në këtë post kthen në vëmendje situatën e përçarë mes hoxhallarëve të Luginës, të cilën myftiu Tërrnava kishte premtuar ta zgjidhte qysh në qëndrimin e tij të fundit në Preshevë e Bujanoc, më 18 dhjetor të vitit të kaluar.
Gjatë qëndrimit të tij myftiu i Kosovës ishte takuar me 45 hoxhallarët e Luginës, dhe kishte dhënë një afat prej rreth një muaji këshillit koordinues për t’u përgatitur për zgjedhje, kur, më 19 janar do të vinte në Luginë për të zgjedhur organet e reja për formimin e një Bashkësie Islame të Luginës së Preshevës.
Këmba e Myftiut më 19 janar nuk shkeli në Luginë dhe as që u formuan organet e paralajmëruara. Si pasojë e kësaj ndasitë mes Bashkësive Islame në Luginë vazhduan të zgjerohen dhe deri më tani, në Luginë funksionojnë tri Bashkësi Islame, që kanë ndarë hoxhallarët si në parti politike.
Një pakënaqësi për vonesën e formimit të Bashkësisë së përbashkët Islame në Luginë së fundmi e ka shprehëkoordinatori i grupit punues Nexhmedin Ademi, i cili i ka bërë thirrje publike kryesisë dhe kryetarit të BI-së së Kosovës Naim Tërnava që të angazhohet për të dalë nga kjo situatë e krijuar, raporton Titulli.
I caktuar për koordinator në mbledhjen e 18 dhjetorit 2012, Ademi, gjatë muajit shtator, përmes njoftimit përshëndeti tejkalimin krizës në BIK, duke shpresuar “se së shpejti Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës dhe myftiu i saj mr. Naim ef. Tërnava do të angazhohen seriozisht për të jetësuar vendimet e takimit të 18, dhjetorit, 2012”.
Qëllimi i formimit të Bashkësisë Islame të Luginës së Preshevës, është shuarja e tri bashkësive tjera dhe veprimi dhe koordinimi i hoxhallarëve nën një ombrellë të përbashkët.
Mirëpo, deri në themelimin e saj pritet të kalojnë edhe ca kohë, pasi që myftiu i rizgjedhur Tërrnava duhet të akomodohet dhe njëherit të forcojë pozicionin e tij, jo pak të lëkundur në opinion kosovar./Titulli.com/



