Selektori shqiptar, italiani Gianni De Biasi, nuk ndalon së planifikuari që nën urdhrat e tij në të ardhmen ta ketë talentin e Manchester United, Adnan Januzaj.
Menjëherë pas rinovimit të kontratës me Federatën Shqiptare të Futbollit, italiani ka filluar punën në kërkim të përfshirjes së lojtarëve më të talentuar shqiptarë në kombëtaren kuqezi për eliminatoret e evropianit 2016.
Italiani është i interesuar që në kombëtare t’i shohë të gjithë ata shqiptarët që po shpërthejnë në klube të ndryshme evropiane. Planet e veta ai i ka bërë për mediet shqiptare. Pjesa dërrmuese e tyre janë me origjinë nga Kosova apo trojet shqiptare në ish-Jugosllavi. Janë shumë emra që presin kontaktet me FSHF, por për momentin pista kryesore e punës është përqendruar te talenti Januzaj, i cili po çmend Anglinë dhe Evropën me cilësitë e tij të shkëlqyera në një moshë që nuk ka kaluar 18 vjeç, shkruan “Sot News”.
Januzaj po kërkohet nga Belgjika dhe Anglia, por De Biasi nuk dorëzohet. De Biasi së bashku me stafin përgjegjës për ekipet kombëtare do të takojë brenda këtyre ditëve talentin shqiptar dhe përfaqësuesit e tij ligjorë, por edhe prindërit e tij, me shpresën se do ta bindin të veshë fanellën kuqezi.
Nuk është vetëm Januzaj, pasi në Angli është formësuar dhe një tjetër talent, ai është Frederik Veseli, i cili për momentin nuk është se po kalon një moment të mirë.
Djaloshi që kaloi nga City e United ka potencial dhe në mbrojtje mund të jetë një emër i spikatur. Një tjetër futbollist që po bën bujë është dhe Shkodran Mustafi, mbrojtës i talentuar që luan për U-21 të Gjermanisë. Mustafi ka potencial të madh dhe mund të jetë një emër i spikatur në kombëtare.
Së fundi, është dhe djaloshi i talentuar Valmir Berisha, sulmues që luan për Suedinë U-17. Ky djalosh shënoi dhe dje ndaj Japonisë në Botërorin e kësaj moshe dhe FSHF duhet të jetë më këmbëngulëse ndaj këtij talenti.
Edhe pse luan me moshat suedeze, Berisha mund të përqafojë kombëtaren tonë në të ardhmen, duke veshur fanellën kuqezi të Përfaqësueses Shqiptare. Në ligën zvicerane të parë e të dytë janë më shumë se 10 futbollistë shqiptarë që luajnë në nivele të larta dhe këta elementë presin një ftesë nga FSHF.


