Forumi Musliman i Shqipërisë kundërshton me forcë propozimin
e Avokatit të Popullit për të legalizuar
martesat mes njerëzve me të njëjtin seks. Kjo është një përpjekje e vazhdueshme
për të shkatërruar institucionin themelor të shoqërisë, familjen. Prej
mijëvjeçarësh shoqëritë dhe shteti kanë mbrojtur familjen që krijohet nga
martesa mes një burri dhe një gruaje për faktin se vetëm një familje e tillë ka
në qendër fëmijët dhe promovon e mbron marrëdhënien baba-nënë-fëmijë, si mjetin
e vetëm natyror për krijimin dhe vazhdimin e jetës dhe shoqërisë.
Forumi
Musliman i Shqipërisë beson se askush nuk ka të drejtën të ripërkufizojë
martesën dhe të imponojë një familje pa baba apo pa nënë për fëmijët. Martesa
është më shumë se një çështje barazie dhe më shumë se një çështje dashurie. Nuk
mund të ketë martesë në marrëdhënie inçestuale, me fëmijë apo edhe brenda të
njëjtit seks. Forumi Musliman i Shqipërisë shpreh shqetësimin e tij të thellë
mbi këtë përpjekje, e cila nuk merr parasysh fatin e familjes, të fëmijëve dhe
të shoqërisë, por ka vendosur në qendër të saj arsye të rrejshme bazuar mbi
dëshira dhe asgjë tjetër. Avokati i Popullit dhe agjenda që ai mbron dhe
promovon duhet të dinë se martesa është një institucion i ngritur mbi bindjen
dhe eksperiencën e gjatë historike të njerëzve përpara se të krijohej shteti,
gjykatat apo institucione të tjera. Ajo është themeli i vërtetë i shoqërisë dhe
lëvizja e tij apo e pjesëve të tij nuk mund të bëhet nga zyrtarë të emëruar apo
të zgjedhur, nga agjenda që promovojnë interesa të tyret, por vetëm nga shumica
e popullit. Asnjë institucion shtetëror nuk mund të shpallë të drejtën e tij
mbi ripërkufizimin e martesës, këtë mund ta bëjë vetëm një shumicë domethënëse
e popullit. Forumi Musliman i Shqipërisë i bën thirrje përfaqësuesve të
popullit në Kuvendin e Shqipërisë, qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi
Rama, kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, Kryetarit të opozitës Lulzim Basha, që
të refuzojnë me përbuzje propozime të tilla për të shkatërruar familjen, marrëdhënien
baba-nënë-fëmijë dhe gjithë shoqërinë. Ne i kërkojmë gjithashtu të gjitha
Komuniteteve fetare të pranishme në vend të bashkohen kundër kësaj nisme
anormale. Forumi i Kërkon Avokatit të Popullit të mos promovojë agjenda të
tilla dhe të mos propozojë ide apo ligje që kërkojnë të ripërkufizojnë njeriun,
shoqërinë, familjen dhe shtetin.



