Barcelona në gjurmët e Robert Lewandowskit. Drejtori sportiv i skuadrës katalanase, Andoni Zubizarreta ka nisur kontaktet me Borussian e Dortmundit për të transferuar në “Camp Nou” bomberin polak, kontrata e të cilit skadon në 30 qershor të vitit të ardhshëm.
Duke nisur që prej muajit Janar, lojtari ka të drejtën për të biseduar me klubet e interesuara dhe për Barcelonën do të ishte një pazar me leverdi edhe pse në Gjermani vazhdojnë të jenë të bindur se sulmuesi ka një parakontratë me Bayernin e Mynihut.
Lewandowski i blerë në vitin 2010 nga Lech Poznan nuk e pranoi rinovimin e kontratës me Borussia Dortmund edhe pse drejtuesit e nënkampionëve të Europës i ofruan një rritje të ndjeshme page deri në 5 milionë Euro në sezon.
Gjithsesi, një shtysë të madhe drejt Barcelonës, Lewandowskit ia jep edhe klubi që nuk kërkon ta humbasë me parametra zero, ndërsa ëndrra e tij për të luajtur në “Allianz Arena” po venitet për faktin se Pep Guardiola është bindur plotësisht nga aftësitë e Mandzukic dhe në këtë mënyrë, hapësirat për polakun në Bavari do të ishin shumë të reduktuara.
Në kampin stërvitor të katalanasve, Tata Martino kërkon edhe një qendërsulmues, prandaj kjo çështje mund të kthehet në prioritet për drejtuesit blaugrana. Një çështje teknike që do të zgjidhej me ardhjen e mundshme të Lewandowskit është edhe ajo e spostimit të Lionel Messit në krahun e djathtë, aty ku argjentinasi ndihet në zonën e tij të sigurtë.
Në çdo rast, mundësia më reale është që 24-vjeçari të transferohet në Spanjë gjatë muajit qershor, sepse Borussia Dortmund kërkon të mos humbasë një nga elementët jetikë të repartit të avancuar në një sezon ku lufta në kampionat po bëhet gjithmonë e më e ashpër.



.jpg)