Qendra për Hulumtime të Shkencave Sociale- Bülsam në Stamboll, organizoi aktivitetin shkencor me titull “Shqiptarët gjatë luftërave ballkanike”. Në këtë aktivitet morën pjesë akademikët e rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Presheva të cilët trajtuan çështjen e shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike nga aspektet historike, politike dhe filozofike.
Aktiviteti u mbajt në hapësirat e Qendrës së Kulturës së Kosovës në Stanboll, ndërsa të pranishëm në këtë aktivitet shkencor veç një numri të madh të studentëve, punonjësve dhe shqiptarëve vendas të Stambollit ishin edhe Kryekonsulli i Shqipërise Ermal Muça dhe ai i Kosovës Rrahim Morina si dhe drejtori i Qendrës Kulturore të Kosovës në Stamboll Qamil Bytyqi.
Agroni Islami nga Gjilani, doktorant i Historisë së Periudhës Osmane në Universitetin Istanbul, gjatë trajtimit të marrëdhënieve shqiptaro-osmane ndër të tjera tha se marrëdhëniet e shqiptarëve me osmanet janë evidente nga Lufta e Vjoses (1385) e deri ne rënien e Perandorisë Osmane, dhe meqenëse këto marrëdhënie ndryshojnë nga periudha në periudhë ato edhe duhet trajtuar si të veçanta në kontekstin e kohës kur ato ndodhen dhe jo trajtim emocional që reflekton jo profesionalizëm.
Ndërsa Rrezart Mezani nga Vlora, doktorant ne histori, shk. 19 - 20, gjatë trajtimit të temës: Shqiptarët dhe Shtetet Ballkanike, ngriti çështjen e qëndrimit të fqinjëve ndaj popullsisë shqiptare. Thelbi i kumtesës të mbajtur prej tij ishte: Shtetet Ballkanike, megjithëse shqiptarët kanë qenë pjesëmarrës gjatë procesit të lëvizjeve për formimin e këtyre shteteve, ne aspektin politik asnjëherë nuk e pranonin ekzistencën e popullsisë shqiptare, por politikat e tyre ishin që të merrnin nën kontroll Lëvizjen Kombëtare Shqiptare që lindi dhe filloi të zhvillohej si një reagim ndaj politikave të këtyre shteteve. Kjo politikë e dyfishte u vu re në Luftën Ballkanike, ku këto shtete kundërshtuan marrëveshjen që shqiptarët të përfaqësuar nga Hasan Prishtina arritën me qeverise osmane, qe i jepte shqiptarëve statusin e autonomisë dhe për të penguar zbatimin e saj i shpallen lufte shtetit osman.
Sokol Brahaj nga Shkodra, doktorant i Marrëdhenieve ndërkombetare në Universitetin 9 Eylül trajtoi temën: Çështja Shqiptare ne Arenën Ndërkombetare. Në kumtesë u ndal në tre aspekte. E para Kongresi i Berlinit, ku për herë të parë u prek çështja shqiptare si koncept, por jo si shtrirje gjeografike. E dyta, Lufta Ballkanike, ku Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër e pranuan ekzistencën e shqiptarëve, por përsëri vendimet i morën në favor të shteteve ballkanike, duke i copëtuar trevat shqiptare. E treta, problemi i pazgjidhur i çështjes shqiptare deri ne ditët e sotme, duke marre si shembull Kosovën dhe Çamerinë.
Panelisti i fundit Latif Mustafa nga Presheva-Hulumtues në institutin aleanca e civilizimeve në Stamboll, në ligjeratën e tij u fokusua në tri çështje, fillimisht ai shpjegoi se origjinat e luftërave ishin idetë dhe përplasjet që fillojnë në rrafshin ideor dhe mbarten në atë fizik. Si pikë të dytë ai vuri në spikamë krijimin e paradigmën e civilizimit të ri modern perëndimor në krahasim me transformimin e paradigmës qytetërimore osmane, me ç'rast kjo e dyta kishte filluar t'iu nënshtrohet të parës. Pika e tretë në shqyrtim ishte sesi lufta ndërlidhej me kombet, rrolin e panballkanizmin/pansllavizmin në inicimin e luftërave ballkanike dhe ndikimin e saj në mendimin politik shqiptar, duke u fokusuar në nacionalizmin, zogizmin, nolizmin dhe komunizmin. /SHENJA/



