Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Rilindja

Një javë prapa ditës së balotazhit dhe ende ndihet festa dhe atmosfera festive në Komunën e Gjakovës, por edhe në tërë Kosovën. Ndryshimi i cili erdhi si rrjedhojë e votës së lirë të qytetarëve të Kosovës, është ndryshim i cili si asnjëherë më parë ka ndikuar që të rritet vlera e demokracisë dhe zgjedhjeve të lira në Kosovë. 
Thyerja e tabuve dhe paragjykimeve të cilat u prezantuan deri më tash nga disa taborë si të pathyeshme ishte pjesa më e bukur e funksionimit të demokracisë kosovare.

Secila komunë në nivelin e saj e ka shansin ta shohë frymën e ndryshimit, ndërsa unë mund të flas vetëm për Komunë e cila ma dha besimin në këto zgjedhje të qeverisë për katër vitet e ardhshme, Komunën e Gjakovës. Ndjenja e shkarkimit të një barre të rëndë ka përfshirë Komunën e Gjakovës si asnjëherë më parë. Kjo ndjenjë ka kapluar në asi forme sa që krahasohet me periudhën e pasluftës dhe ndjenjën e çlirimit atëherë. 

Arsyeja se bëhen këto krahasime lidhet në një element esencial, mungesën e lirisë së shprehjes së deritashme si rrjedhojë e kushtëzimeve me punë sime dhe mungesën e zhvillimit ekonomik si pritje e natyrshme e periudhës së pasluftës.

Ne na mbetet të jemi ata të cilët i menaxhojmë pritjet dhe ofrojmë mundësitë për ndryshime brenda kornizave të hapësirës së dhënë. Energjia dhe frymëzimi i marrë gjatë fushatës duhet të kthehet në plane konkrete për të mbajtur të njëjtin nivel të bashkëpunimit me qytetarët. 
Ajo çfarë qytetarët e Komunës së Gjakovës e vlerësuan më së shumti, ishte qasja proaktiv dhe dëgjimi i halleve dhe bisedat e hapura për mundësitë dhe kufizimet e qeverisjes. Qeverisja për qytetarët me qytetarët është thelbi i demokracisë, por edhe ajo çfarë ka munguar në këto vite është vlerësimi i mendimit të qytetarit. Shpeshherë qytetarët janë ballafaquar me gjendje jo të këndshme të pjesës së fushatës. Kjo u dëshmua nga takimet e drejtpërdrejta dhe hutia me të cilën ata ballafaqoheshin pasi dëgjonin nga ne një storie tjetër, atë të programit dhe zhvillimit. Ne u flisnim drejtpërdrejt gjëra konkrete të cilat adresonin programin tonë dhe hallet e tyre.

Tani gjendemi në situatën kur aksioni konkret i yni do të përfshijë, aplikimin për projekte të Bashkimit Evropian, afati i të cilave ka filluar. Në lidhje me këto projekte kemi filluar koalicionet me Organizata Joqeveritare dhe Agjencia zhvillimore ndërkombëtare. Fitorja në Gjakovë ka funksionalizuar për së mbari përvojën e deritashme me Agjencitë zhvillimore të cilatnë kapacitetin tim si ministre e Tregtisë dhe Industrisë më kanë asistuar në ndërtimin e politikave konkrete. Ndërsa, tani do të ndikojnë drejtpërdrejt në projekte kapitale për komunën e Gjakovës. 
Kërkesat e para për këto agjenci janë në hapjen e shtëpive komunale për katër rajonet kryesore të Komunës. Ato do të ofrojnë shërbimet për qytetarët tanë dhe do të lehtësojnë shërbimet komunale. 

Projekti i parë teknologjik dhe ofrimit të aftësimeve profesionale për të rinjtë dhe të rejat tona do të fillojë të zbatohet shumë shpejt për të mundësuar përgatitje të mirëfilltë profesionale përpunë në industri dhe kompanitë e ndryshme. 
Ndërsa, promovimi i Gjakovës si destinim i miniinvestimeve dhe i zonës së lirë ekonomike do të fillojë menjëherë pas një muaji, apo fillimvitin 2014. 

Banorët e Komunës së Gjakovës duhet ta dinë se puna për Ndryshimin tashmë ka filluar. Organizatat po kërkojnë projekte, ndërsa nga ana jonë projektet janë në fazën finale të detajimit. Interesimi i kompanive për Gjakovën tashmë ka filluar, ambienti investiv do të fillojë së përmirësuari që në ditët e para të hyrjes në zyrë.

Në një fjalë Rilindja për Gjakovën tashmë ka filluar, rezultatet e para do të ndihen në muajt e parë të qeverisjes, dëshmi kjo se ndryshimet demokratike në Kosovë japin efektet e veta.

Nga: Mimoza Kusari-Lila
(Autorja është kryetare e zgjedhur e Gjakovës dhe zv/presidente e AKR-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)