Ish-ambasadori britanik në Beograd, Ajvor Roberts ka deklaruar se zgjidhje e përhershme do të ishte ndarja e Kosovës,apo këmbimi i territoreve.
Siç raportojnë mediat serbe, Roberts mendon se do të ishte hipokrizi që Serbisë t’i ndalohet anëtarësimi në BE, para se ta njoh pavarësinë e Kosovës, sepse Kosovën ende nuk e kanë njohur as disa shtete të BE-së.
Ideja se çështja e pazgjidhura kufitare duhet ta pengojnë anëtarësimin në BE, do të mbante jashtë BE-së, jo vetëm Qipron, por edhe Britaninë, Irlandën, Spanjën dhe Danimarkën, ka thënë Roberts në një intervistë për gazetën serbe “Politika”.
Roberts thotë se Marrëveshja e Brukselit është një hap i dobishëm për “detoksimin” e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
"Marrëveshja është çështja e mirë dhe mendoj se kryeministri Ivica Daçiq meriton urime. Por zgjidhja e përhershme është vetëm ajo që është e dhembshme për të dy palët- për Serbinë dhe për Kosovën. Kjo, sipas mendimit, arrihet me ndarjen e Kosovës, ka mundësi madje edhe me këmbimin e territoreve”, ka theksuar Roberts.
Ai vlerëson se do të ishte logjike që pas korrektimit territorial me Serbinë, t’i lejohet Kosovës bashkimi me Shqipërinë dhe se nuk duket e arsyeshme të lejohet vetëvendosja e Kosovës, dhe jo edhe i pjesëve serbe dhe kroate të Bosnjës dhe Hercegvinës. /koha.net/



