Pages

Subscribe:

Ads 468x60px

Qeskat plastike - Vrasëset e deteve

Studiuesit gjejnë gjithnjë e më shumë copëza plastike në peshqit apo zogjtë e ngordhur. BE vepron kundër ndotjes së deteve.
"Problemi është kaq i madh dhe i pamatshëm", paralajmëron Benjamin Bongardt, ekspert për mbeturinat i Shoqatës Gjermane për Mbrojtjen e Natyrës (NABU). Askush nuk mund të thotë me saktësi se sa lëndë plastike pluskojnë në dete, dimë vetëm se numri është shumë herë më i lartë se sa mund të durojë natyra. Ka më shumë se dhjetë vjet që biologët përpiqen të nxjerrin përfundime për ndotjen e oqeaneve përmes fenomenit të ngordhjes së zogjve. Mesatarisht në stomakët e zogjve të nxjerrë në brigjet e deteve gjenden 31 copëza plastike, një tendencë në rritje. Në bazë të këtyre të dhënave, studiuesit arrijnë në përfundimin që në çdo kilometër kuadrat sipërfaqe uji pluskojnë rreth 18.000 copëza lëndësh plastike.
Me qindra vite në dete
Shumë lëndë plastike shpërbëhen vetëm pas 450 vitesh, thotë eskperti i NABU-s, Bongardt. Një rol veçanërisht negativ luajnë qeskat plastike. "80% e të gjitha qeskave plastike vijnë nga toka dhe jo deti. Do të thotë që ato nuk vijnë nga anijet, por nga turistët, banorët e brigjeve, lumenjtë, gjithçka që era e sjell në dete."
Komisioni Europian në Bruksel synon të frenojë këtë zhvillim dhe t'i detyrojë vendet anëtare për një reduktim të fortë të përdorimit të qeskave plastike. 100 miliardë qeska plastike përdoren çdo vit në BE, llogarit komisioneri i BE-së për ambientin, Janez Potočnik. "Më shumë se tetë miliardë syresh përfundojnë si plehra në natyrë dhe krijojnë probleme të mëdha me ndotjen, sidomos tek kafshët që i përtypin." Eurokomisioneri ka paraqitur para KE-së të hënën një draft për ndryshimin e rregulloreve të paketimit. Sipas saj të gjitha vendet e BE-së do të detyrohen të reduktojnë përdorimin e qeskave plastike.
4 qeska plastike në Finlandë, 450 në Sllovaki
Por problemi me qeskat e lehta plastike nuk është shpërndarë njësoj. Danezëve dhe finlandezëve iu mjaftojnë mesatarisht 4 qeska plastike në vit, ndërsa polakët, portugezët dhe sllovakët kanë nevojë për 450 qeska të tilla. Gjermania renditet në mesin e kësaj renditjeje me 70 qeska në vit për person. Potočnik: "Po qe se edhe shtetet e tjera e ndjekin këtë rrugë, atëherë ne mund të arrijmë të ulim numrin e qeskave plastike në BE me 80%."
Për shkak se dallimet janë kaq të mëdha, Potočnik do ta kalojë në kompetencën e çdo vendi për të gjetur vetë mënyrat e e uljes së mbeturinave plastike. Por në rast nevoje, sipas Potočnik, vendet e BE-së do të duhet të injorojnë në raste të jashtëzakonshme edhe rregulloret e tregut të brendshëm. "Vendet anëtare do të kenë të drejtën për të vendosur rregulla kufizimi deri tek ndalimi i qeskave plastike, gjë që nuk ka qenë e parashikuar në legjislacionin e deritanishëm.
Ndalimi i qeskave plastike - një vendim jo popullor
Nuk është e sigurtë nëse do të vijë puna deri tek ky ndalim. Propozimet e komisionerit të BE-së për ambientin, Potočnik duhe të miratohen nga Parlamenti Europian dhe Këshilli ministerial i BE-së. Edhe nga këto instanca mund të vijnë refuzime të forta. Nga njëra anë në vendet që kanë përdorim të madh të qeskave plastike, propozime të tilla janë shumë jo popullore, nga ana tjetër vendet me një industri të fuqishme plastmasi si Franca dhe Gjermania nuk do të rrinë duarkryq.
Eurodeputetja socialdemokrate, Dagmar Roth-NBehrend kritikon faktin që Potočnik do ta lerë në kompetencën e vendeve anëtarë reduktimin apo heqjen dorë plotësisht nga plastmaset. "Po qe se unë si komisioner e kam seriozisht, atëherë duhet të gjendet një zgjidhje e njëtrajtshme për të gjithë Europën. Kur them se kemi një problem, atëherë duhet të merrem me zgjidhjen e tij."
Benjamin Bongardt nga NABU megjithatë e përshëndet qëndrimin fleksibël të komisionerit, Potočnik. Më e rëndësishme se një grindje pa fund është rezultati konkret në këtë drejtim, pra që disa vende të bëjnë konkretisht diçka kundër ndotjes së oqeaneve. Bongradt tregon shembullin e Irlandës, një vend që prej vitesh e taton përdorimin e qeskave plastike. Aktualisht një qeskë plastike ka një tatim prej 22 eurosh. "Kjo ka pasur efektin që numri i qeskave plastike të ulet me 90%, tani çdo irlandez merr në përdorim vetëm 18 qeska plastike, e në të njëjtën kohë të ardhurat nga këto tatime u përdorën për të vazhduar fushatat sqaruese."
Mirëqenia - më shumë plastmas
Eksperti për mbeturinat, Benjamin Bongardt e shikon Bashkimin Europian si lokomotivën e mbrojtjes së oqeaneve. Sepse problemet me ndotjen e deteve nuk lidhen vetëm me Europën. Sidomos në vendet në ekspansion ekonomik, me rritjen e mirëqenies është rritur edhe numri i mallrave plastikë. Madje në disa vende, lumenjtë gati kanë humbur në masën e madhe të qeskave dhe shisheve plastike. Shumë prej tyre përfundojnë në dete pas disa vitesh, ose edhe pas dhjetëvjeçarësh. Krahasuar me këtë gjendje, problemet në Europë nuk janë të tilla, mendon Bongardt. "BE sigurisht nuk mund ta zgjidhë problemin botëror, por ajo vetë mund të jetë një shembull pozitiv."