Shqipëria Osmane si projekt politik, dhe Shqipëria Europiane si koncept i ideologjisë nacionale të shqiptarëve, të prodhuara nga mendësia e Rilindjes Kombëtare dhe filozofia politike që do të dalë prej saj, thuajse lindën në të njëjtën kohë dhe në përputhje me të njëjtin qëllim.
Ato madje ushqyen njëra tjetrën dhe krijuan platformën reale mbi të cilën do të ndërtohet koncepti i ardhmërisë jo gjithaq të qartë të shqiptarëve që nga rrethanat e Krizës Lindore e deri te luftërat ballkanike, kur edhe do të shfaqet shteti i pavarur shqiptar.
Shikuar nga ky këndvështrim, mund të thuhet se zgjimi kombëtar shqiptar jashtë formulës së Shqipërisë Osmane jo vetëm që nuk do të ishte i mundur, por do ta parandalonte në përgjithësi procesin e lindjes së shtetit shqiptar, ngaqë atij do t’i mungonte komponenti i bashkimit të brendshëm, i cili duhej të kalonte nëpër ndasitë fetare, ato krahinore dhe dallimet tjera, që duhej përballuar doemos.
Shikuar nga ky këndvështrim, mund të thuhet se zgjimi kombëtar shqiptar jashtë formulës së Shqipërisë Osmane jo vetëm që nuk do të ishte i mundur, por do ta parandalonte në përgjithësi procesin e lindjes së shtetit shqiptar, ngaqë atij do t’i mungonte komponenti i bashkimit të brendshëm, i cili duhej të kalonte nëpër ndasitë fetare, ato krahinore dhe dallimet tjera, që duhej përballuar doemos.
Andaj, nuk është për t’u habitur pse ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, për të arritur deri te pika e kthesës historike, doemos se duhej të ishin islamistë (Sami Frashëri), ose osmanistë (nga Abdyl Frashëri e deri te Ismail Qemaili, Hasan Prishtina e të tjerë), në mënyrë që të luftonin edhe për çështjen shqiptare. Ky pozicionim me të drejtë çështjen shqiptare dhe problematikën e saj, që nga Kriza Lindore e deri tek Luftërat Ballkanike, e nxjerrë si të veçantë, prej nga mund të thuhet se tretmani i status quo-s nëpër të cilën do të kalojë Perandoria Osmane nga Kongresi i Berlinit e deri te disfata nga Aleanca Ballkanike, do t’i shkojë për shtati asaj.
Por, ditën që në Vlorë, më 28 nëntor të vitit 1912 do të shpallet pavarësia e Shqipërisë, Shqipëria Osmane dhe Shqipëria Europiane, jo vetëm që nuk do të bashkëjetojnë dhe bashkëveprojnë më, siç kishte ndodhur për më shumë se tri decenie, por do të hynë në luftë me njëra-tjetrën, luftë kjo e pashmangshme, meqë ashtu dhe me të, nga brenda dhe më shumë nga jashtë, duhej të kundërshtoheshin realitetet e reja shoqërore dhe politike në të cilat ndodheshin shqiptarët, kur pas pesë shekujsh u gjenden në atë udhëkryqin vendimtar që duhej t’i kthente në gjirin e qytetërimit perëndimor.
Para se të fillojë kjo luftë, është e domosdoshme të shpjegohet pse lindja e Shqipërisë Osmane si projekt politik dhe Shqipëria Evropiane si koncept ideologjik i nacionalizmit shqiptar për shumë kohë ndërthureshin, dhe ndonëse me mjetet të ndryshme, luftonin drejt arritjes së të njëjtit qëllimi, ndërsa në një kohë të caktuar erdhën para shpërputhjeve të papërballueshme, sa të luftojnë mes veti?
Gama e këtij kundrimi shpjegon ndërlikueshmërinë e nacionalizmit shqiptar dhe të shqiptarizmit në ato rrethana, të cilit për të arritur shkallën e koncepteve kulturore, shoqërore dhe politike në përpëlitje e sipër, fillimisht i duhej një bashkëveprim taktik me islamizmin dhe me osmanizmin, ngacmimi i të cilave do ta vërë në binarët e një lëvizjeje të fuqishme, e cila do të përfundojë me pavarësinë kombëtare.
Në këtë bashkëveprim taktik dhe strategjik dhe njëherësh fërkim me këta faktorë tejet të rëndësishëm, ndeshja ishte e pashmangshëm madje edhe e paraparë po qe se aspekti kulturor-kombëtar do të mbetej jashtë dividentës së caktuar politike. Sepse, nacionalizmi shqiptar, i cili mbështetej mbi gjuhën dhe jo rreth fesë, domosdoshmërish do ta nxjerrë në pah në njërën anë identitetin kombëtar të shqiptarëve me rrënjë te qytetërimi perëndimor, dhe në tjetrën anë - vizioni afetar i identitetit kombëtar si mbizotërues për pasojë do të ketë kërkesën e dallimit të kombësisë (kavmës) me atë të milleti osman, me çka do të mundësohet edhe pozicionimi si entitet homogjen, që nënkuptonte edhe tretmanin e pranimit të etnisë së tyre dhe ngritjes në shkallën e një vetëqeverisjeje autonome, të ngjashme me të tjerat, që ishin shfaqur nga koha e Krizës Lindore e tutje.
Komponenti i dytë do të ketë rëndësi të veçantë, sepse mbi platformën e saj, nacionalizmi shqiptar nga pozicionet e mundimshme vetësqaruese identitare në raport me islamizmin dhe ombrellën e tij, që më vonë do ta marrë përsipër osmanizmi i xhonturqve (pasi që të ketë tejkaluar sprovën e vështirë të vetëdëshmimit kombëtar), do të kalojë në strategjinë e kërkesave për vetëqeverisje brenda një vilajeti të përbashkët nga katër sosh ku ishin të shpërndarë ( i Kosovës, i Shkodrës, i Manastirit dhe i Janinës) gjithnjë në përbërje të Perandorisë Osmane, të cilat do të shfaqen nga koha e Kongresit të Berlinit, për të marrë forma të ndryshme si autonomi vetëqeverisëse dhe të ngjashme, që do të shihen edhe si shfaqje e Shqipërisë Osmane në truallin evropian, gjë që nxirrte në pah një si strategji të caktuar politike të një spektri të gjerë, e cila pashmangshëm do të shpinte tek shteti i pavarur shqiptar.
Mundësia e shfaqjes së Shqipërisë Osmane, që kishte filluar të projektohej jo vetëm brenda shqiptarëve, por edhe nga jashtë, veçmas nga Fuqitë e Mëdha - (fillimisht nga Anglia, së cilës duhet njohur merita për shtruarjen e kësaj kërkese që nga viti 1880, në mënyrë që në prill të vitit 1881 ajo t’i paraqitej zyrtarisht Konferencës së Ambasadorëve në Londër e prej andej t’i shtrohet si kërkesë Portës së Lartë , në mënyrë që pastaj ajo të pranohej edhe nga Austro-Hungaria dhe vendet e Paktit Trepalësh) - përjashtohej apriori nga fqinjët e shqiptarëve (serbët, malaziasit, grekët dhe bullgarët) dhe mbështetësi i tyre kryesor Rusia, ndërkohë që refuzohej edhe nga Perandoria Osmane edhe atëherë kur dukej gjithnjë e më sheshazi se vetëm mbajtja e mëtutjeshme e shqiptarëve nën kurorën perandorake mund t’ia zgjaste jetën në pjesën evropiane.
Xhonturqit, edhe pse do të vinë në pushtet me ndihmën e shqiptarëve dhe në saje të mbështetjes vendimtare që do t’u jepet në Kuvendin e Ferizajt të korrikut të vitit 1908, jo vetëm që atë do ta kundërshtojnë - nga shkaku i vetëm se modeli i Shqipërisë Osmane rrënonte konceptin e shtetit centralist mbi të cilin mbështeteshin dhe shpresonin se Perandoria Osmane mund ta ruante vendin në radhën e fuqive botërore - por edhe do ta luftojnë me të gjitha mjetet, duke përfshirë edhe ato ushtarake.
Kjo do t’i detyrojë shqiptarët që t’u kthehen kryengritjeve të mëdha, siç ishin ato të viteve 1910, 1911 dhe vendimtarja e vitit 1912, me epiqendër Kosovën, që bashkë me xhonturqit dhe qeverisjen e tyre do të rrënojnë edhe fanatizmin e osmanizmit dhe të centralizmit si të vetmes mundësi mbijetimi për Perandorinë Osmane.
Pranimi i Katërmbëdhjetë Pikave të Shkupit, të quajtura edhe si Memorandum i Hasan Prishtinës, praktikisht ia hapnin dyert lindjes së Shqipërisë Osmane, pale se ajo fillimisht edhe mund të mos quhej si e tillë, por që pashmangshëm ndiqte at kah dhe at koncept, kur dihej se mbi çfarë platforme qëndronte ajo, e mbi të gjitha, kur kihej parasysh se emancipimi politik i shqiptarëve nuk mund të mbetej nën atë të popujve të tjerë të Ballkanit, të cilët kishin realizuar qëllimet e tyre.
Ajo që pas Memorandumit të Shkupit shqiptarët i kthente në promotor të lëvizjeve të reja politike në raport me Perandorinë Osmane dhe me faktorin ndërkombëtar të vendosjes, do të parapengohet me të shpejtë me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, të udhëhequr nga aleancat e ndërsjella midis Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe të Bullgarisë, gjithnjë të drejtuara nga Rusia, të cilat do të hynë në luftë me Perandorinë Osmane, luftë këtë që pa ndonjë mund të madh do ta fitojnë, qëllimi i së cilës nuk ishte, si thuhej largimi i Perandorisë Osmane nga Ballkani, por në radhë të parë pengimi i asaj që tashmë pas marrëveshjes së Shkupit shihej si shfaqje e pashmangshme e Shqipërisë Osmane, edhe pse katërmbëdhjetë pikat e Memorandumit të Hasan Prishtinës, nuk theksonin autonominë shqiptare brenda një vilajeti e as organizime të ngjashme.
Por, për fqinjët e shqiptarëve, gjuha e kamufluar e kërkesave që do të shfaqen në Shkup dhe do të pranohen nga Porta e Lartë, ishte më pak e rëndësishme, sa fuqia që fitonin ata në rrethanat e reja kur ishin në gjendje që të diktonin kushte, të cilat dihej se ku mund të shkonin dhe kah drejtoheshin.
Andaj, lufta e Aleancës Ballkanike kundër Perandorisë Osmane, në radhë të parë, ishte luftë kundër shqiptarëve dhe pozitës së re që e kishin fituar në skenën politike dhe atë shtetërore perandorake prej nga ishte më se e qartë se ata, me mjete politike, do t’ia dilnin t’i sendërtonin aspiratat e tyre historike, ku pranimi i identitetit kombëtar dhe barazisë institucionale ishte i pashmangshëm qoftë edhe nën petkun e një Shqipërie Osmane, e cila ia hapte rrugën Shqipërisë Evropiane çastin që Perandoria Osmane do të detyrohej të kthehej prej nga kishte ardhur.
Megjithatë, kjo luftë kundër shqiptarëve dhe çështjes së tyre, që do të çojë deri tek rrënimi i Perandorisë Osmane, nuk do të mund ta ndalojë lindjen e shtetit shqiptar, jo vetëm pse ishte synim historik i shqiptarëve për të, nga i cili nuk do të hiqnin dorë kurrë, por edhe pse në rrethanat e balancimeve të sferave të interesit ai domosdoshmërish u duhej edhe atyre koniunkturave ndërkombëtare (veçmas të Austro-Hungarisë dhe Italisë), që me anën e tij të pengonin shtrirjen e ndikimit të mëtutjeshëm të Rusisë dhe aleatëve të saj (Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe të Greqisë) në këtë pjesë tejet strategjike të kontinentit të vjetër.
Andaj, pengimi i Shqipërisë Osmane dhe luftimi i saj nga ana e fqinjëve sllavo-ortodoks, nuk mund të kishte për alternativë tjetër pos lindjen e Shqipërisë evropiane. Këtë do ta kenë të qartë edhe kundërshtarët e saj më të përbetuar, dhe këtë do ta kenë të qartë edhe mbështetësit e saj.
Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, edhe pse Shqipëria do të ndodhej nën pushtimin e vendeve fqinje (Serbisë, Malit të Zi dhe të Greqisë), kur Konferenca e Londrës më në fund do ta njohë pavarësinë e saj, ndonëse të përgjysmuar, kundërshtarët e saj (fqinjët sllavo-ortodoksë), sapo detyra e bërjes së shtetit shqiptar me përcaktim evropian do t’i caktohet princit gjerman Vilhelm fon Vid (Wielhelm von Wied), me ndihmën e instrumentalizimit të forcave proturke dhe fanatikëve të tjerë islamistë, (shumë prej të cilëve edhe më tutje në kokë mund ta kishin të ndezur përfytyrimin e Shqipërisë Osmane që për shumë kohë i kishte bashkuar, por që në rrethanat e reja nuk do të mund të funksiononte më), do të ndezin fitilin e luftës kundër Shqipërisë evropiane, duke e kthyer kështu në një poligon të luftës vëllavrasëse mbi baza fetare, të parës në historinë e tyre të gjatë.
Për të qenë e keqja edhe më e madhe, kjo luftë do të marrë zjarr sapo të fillojë Lufta e Parë Botërore dhe Fuqitë e Mëdha, që kishin përsipër përgjegjësinë e mbikëqyrjes dhjetëvjeçare të shtetit shqiptar, do të hynë në luftë mes vete, dhe kështu ajo do të mbetet në tërësi pre e egërsimit vëllavrasës, ku në njërën anë patriotët e shumtë shqiptarë nën flamurin shqiptar luftonin për ta mbrojtur shtetin shqiptar, ndërsa në tjetrën anë, fundamentalistët islamistë dhe elementët e shumtë proturq, të ndihmuar nga “misionarët” xhonturkë, nën flamurin e e Perandorisë Osmane luftonin për ta rikthyer pushtetin e sheriatit dhe çevrenë jeshile, të cilën dhunshëm serish do t’ia vënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërkohë që fuqitë pushtuese rrinin të qeta dhe prisnin vetëshkatërrimin e tyre.
Edhe pse epilogu i luftës së Shqipërisë Osmane kundër Shqipërisë Evropiane, do të marrë fund në dobi të kësaj të dytës – dhe kjo do të ndodhë pas ndërhyrjes vendimtare të presidentit amerikan Vilson në Konferencën e Paqes në Paris, kur do të kërkojë që çështja e Shqipërisë të ndahet nga ajo e Adriatikut, ku ziheshin pazarllëqet midis Italisë dhe ugosllavisë se kush do të fitonte më shumë nga pogaçja e mbetjeve austro-hungareze dhe atyre Osmane në Ballkan - megjithatë, edhe për shumë kohë shteti shqiptar dhe skena e tij e turbullt politike si dhe në përgjithësi çështja shqiptare, nuk do të lirohen nga hija osmane dhe telashet që do t’i vinë në emër të saj.
Sepse, në ndërkohën sa do të zgjasë Lufta e Parë Botërore, po ato Fuqi të Mëdha, që në Konferencën e Londrës kishin pranuar Shqipërinë e pavarur, ndonëse të cunguar, çështjen shqiptare do të përpiqen ta “rishikojnë” në përputhje me interesat e pakteve: në njërën anë Antanta, me Traktatin e Fshehtë të Londrës të prillit të vitit 1915 - pasi që pjesën e saj më të madhe do ta ndajnë midis Italisë, Serbisë dhe Greqisë - do të projektojë një feud si “Shqipëri myslimane”, dhe në tjetrën anën, Fuqitë e Boshtit (Austro-Hungaria dhe Gjermania), do të dalin me projektet e tyre për një Shqipëri etnike, që në rast të fitores së tyre, po ashtu do t’u nënshtrohet “rishqyrtimeve” me aleatët: Bullgarinë dhe Turqinë, gjë nuk e lironte nga kusuritjet tjera në kurriz të saj, të ngjashme me atë që Bullgaria kishte marrë si shpërblim me rastin e bashkëngjitjes atyre në Luftën Botërore (gjysmën e Kosovës: nga Gjilani në Prishtinë dhe Prizren si dhe nga Kumanova në Shkup dhe deri në Ohër).
(Shkëputje nga “Kosova” II)



