Gjigandi “Microsoft”, lider në teknologji, ka bërë të ditur se së fundmi është në një fazë të avancuar bisedimesh me drejtuesit e klubit të Realit të Madridit, për të ndryshuar emrin e stadiumit “Santiago Bernabeu”.
Stadiumi me një kapacitet prej 85 mijë vendesh është inauguruar në vitin 1947 dhe ka marrë emrin e ish-presidentit të Realit të Madridit, Santiago Bernabeu Jeste. Megjithatë, përfaqësuesi i “Microsoft” për Spanjën, Maria Gahan ka bërë të ditur se drejtuesit e klubit madrilen në këtë moment janë të gatshëm që t’i shesin të drejtat e emrit të stadiumit ofruesit më të madh.
“Drejtuesit e klubit na kanë ofruar ne dhe 3 kompanive të tjera të mëdha, mundësinë e brandimit të stadiumit. Ne jemi duke biseduar dhe normalisht që kemi bërë një ofertë”. Edhe vetë presidenti i Realit, Perez ka bërë të ditur vetëm para pak kohësh se ekziston një mundësi që emri i stadiumit të Realit të ndryshojë, ndërkohë që kompanitë e interesuara, gjithnjë sipas presidentit janë të njohura në të gjithë globin.



