Është zhvilluar takimi i parë i grupit punues të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Evropës (KE).
Zëvendësministri Selimi tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm, sepse për herë të parë ka koordinim të drejtpërdrejtë ndërmjet zyrtarëve të lartë të Këshillit të Evropës nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm Jagland si dhe ministrive të linjës të Qeverisë së Kosovës.
“Ky është fillimi formal i një procesi të rritjes së ndërveprimit direkt ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Evropës”, tha zëvendësministri Selimi, duke shtuar se Kosova tani pret edhe vizitat monitoruese konform metodologjisë standarde të KE-së.
Ndërkaq, Matjaz Gruden, zëvendësdrejtor i Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të KE-së, Thorbjørn Jagland, u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen në këtë takim të grupit punues.
“Ky është takimi i parë ndonjëherë në këtë format formal. Në këtë takim patëm mundësinë që t’i paraqesim ndryshimet pozitive që janë arritur gjatë viteve të fundit. Zyra e KE-së në Kosovë është zyra e dytë më e madhe që e kemi ndokund tjetër në Evropë, dhe mendoj se kjo është një ilustrim i rëndësisë që KE i jep bashkëpunimit këtu”, tha Gruden.



