Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të bëjnë maksimumin për shqiptarët e Luginës, sepse ata janë duke u shpërngulur me të madhe, kështu thotë kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, në një intervistë dhënë gazetës ”Zëri”.
“Pasiguria politike, kushtet e rënda ekonomike janë duke zbrazur Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën. Shteti serb është duke bërë të pamundurën që t’ua vështirësojë jetën shqiptarëve në Luginë”,thotë ai.
Mustafa bën të ditur në detaje mbijetesën e mundimshme që janë duke e përjetuar në vazhdimësi, shqiptarët e kësaj ane.
Ai thotë se kjo gjendje arsyeton kërkesën e tyre që njëherë e përgjithmonë të integrohen brenda territorit të Kosovës.
“Prandaj është e arsyeshme kërkesa jonë legjitime për një integrim brenda territorit të Republikës së Kosovës për t’u ndier rahat në tokat tona shqiptare autoktone njëherë e përgjithmonë”, thotë gjatë intervistës Mustafa.
Ai kërkon që për shqiptarët e Luginës së Preshevës të dyja qeveritë duhet të bëjnë maksimumin për të siguruar qëndrueshmërinë në tokat e tyre autoktone. Përndryshe paralajmëron se këto vendbanime gradualisht po zbrazen dhe zbrazja e këtyre vendbanimeve është njëlloj sikur po dorëzohemi para pushtuesve serbë. /Zëri/



