Të gjendur përball këtij rreziku, PDK në Prizren dhe Gjilan, e AAK në Pejë, kanë vendosur që t'i harrojnë animozitetet; kanë vendosur t'i harrojnë akuzat për shtëpi në Dubai e Monte Carlo; kanë vendosur që t'i harrojnë dyshimet për kurthe gjyqësore; kanë vendosur t'i harrojnë 'komandantët e Bllacës' e fishkëllimat dhe t'i bashkojnë forcat - ndoshta edhe armët - përball partive të tjera, në ketë rast LDK'së dhe AKR'së, kjo e fundit është kundër AAK'së në Gjakovë e kundër PDK'së në Mitrovicë.
E gjithë Prishtina - pjesa e gazetarëve, analistëve, politikanëve - në vitin 2000 dhe 2001 vlonte prej spekulimeve se si njëfar komandanti lokal i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i Zonës së Dukagjinit, kishte vendosur që të bënte një parti politike.
Për Ramush Haradinajn krejt çka dihej në atë kohë ishte se atij gjatë luftës i ishin vrarë dy vëllezër, Shkëlzeni dhe Luani. Kurse për të thuhej se ishte i papërgjegjshëm dhe se kishte qenë krejtësisht kundër marrëveshjes së Rambujes. Gjithashtu thuhej se ai - jo vetëm që nuk u shmanget belave kurdo që përballet me to - por ai edhe i kërkon ato, sado larg qofshin. Thuhej se gjatë luftës sa herë ishte thirrur në mbledhje në Shtabin e Përgjithshëm në Likoc të Drenicës nuk ishte kthyer prapa për në vendin e tij, ose në zonën e tij të luftimeve, pa e shkaktuar ndonjë skandal.
Të njëjtat nuk i janë ndarë as pasluftës.
Thuheshin edhe shumë gjëra të tjera. Por më së shumti thuhej se nëse ekziston një emër i luftës që do t'i dilte përball stuhisë politike që po e shkaktonte partia e re politike, Partia e Progresit Demokratik - që më vonë u transformua në Partinë Demokratike të Kosovës - atëherë ai ishte Ramush Haradinaj. E më së shumti thuhej se ai, Ramush Haradinaj, ishte vënë në skenë prej shërbimit sekret të Britanisë së Madhe, përmes Blerim Shalës, që në atë kohë ka qenë botues i gazetës Zëri.
Bashkësia Ndërkombëtare menjëherë pasluftës po frikësohej shumë se vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës - si një lëvizje paqësore - nuk do të ishte në gjendje që si e vetme ta ndalte forcën - e sidomos arrogancën - e Partisë Demokratike të Kosovës.
Tensionet në mes të krahut të luftës dhe krahut paqësor - po flasim për vitin 2000 - kanë qenë qindra herë më të madhe, se sa ta zëmë sot që janë tensionet e klasës politike me Lëvizjen Vetëvendosje.
LDK dhe zyrtarët e saj ishin vënë në shënjestër. Disa syresh po vriteshin nëpër vende të ndryshme të Kosovës. Dhe për ketë arsye po kërkohej një 'antivirus' që do ta ndalte PDK'në, me të njëjtën metodë që PDK po e ndalte LDK'në. Fillimi ka qenë i rëndë, megjithatë. AAK jo vetëm që e ndali PDK'në në rrafshin e Dukagjinit, siç edhe pritej, por me një ashpërsi edhe më të madhe se sa PDK filloi ta sulmonte LDK'në në atë rajon, që Haradinaj e konsideronte si një lloj pashallëku të tij dhe të familjes së tij. Vrasjet u shndërruan në rutinë në rajonin e Pejës. Në shënjestër ishin mbështetësit e LDK'së. Zyrtarët e kësaj partie, e sidomos mediat e afërta me këtë parti, gishtin vazhdimisht e drejtonin kah Gllogjani. Mirëpo qëllimi inicial për të cilin ishte krijuar AAK ishte arritur. PDK e kishte të pamundur që të merrte krejtësisht kreditin për organizimin e luftës. Dhe me kalimin e kohës përpos brutalitetit, Haradinaj i sofistikoi edhe sjelljet e tij publike, në Prishtinë. Dhe ketë e nisi duke u martuar me njërën prej ikonave të Prishtinës, gazetaren Anita Muçaj. Dhe jo vetëm kaq. Haradinaj, sigurisht pasi i kishin thënë se 'elita' e Prishtinës jeton në Dragodan, i vuri themelet e një pallati - dorën në zemër të shpifur për nga aspekti arkitektonik - pikërisht në atë lagje. Dhe sidomos nuk i mungonte guximi që sa herë t'i kërkohej të fliste hapur kundër 'njerëzve të fortë' të PDK'së. Thjesht dëshironte ta përcillte mesazhin në publik se Ramushi 'nuk tutet'.
Dhe në ketë mënyrë ishte vënë një lloj paqeje në mbarë territorin e Kosovës, ndonëse jo një aso paqeje të standardeve që sot mund të konceptohet. Më shumë ishte ngrirë konflikti, se sa ishte arritur pajtimi. Dhe kjo ngrirje e konfliktit ishte betonuar edhe më shumë kur bashkësia ndërkombëtare në vitin 2001 i kishte detyruar politikanët kryesor të vendit, LDK, PDK, AAK, që të futeshin nën një koalicion të përbashkët. Kusht ishte që as Thaçi e as Haradinaj nuk mund të merrnin pozicione publike, kurse Rugova do të bëhej President i vendit, me kompetenca të përafërta të një kukulle në vitrinat e dyqaneve.
Posti i Kryeministrit ju la një personi nga PDK, që pothuajse me short i ra të ishte Bajram Rexhepi. Sot ka anekdota të shumta se ku ka qenë Rexhepi kur i është kumtuar lajmi për t'u bërë shef i ekzekutivit. Por dyshohet se ka qenë duke kryer syneti në një lagje të Mitrovicës. Nga ana e tij edhe Ramushi i kishte deleguar për në ekzekutiv disa prej zyrtarëve të partisë së tij.
Një gjendje e tillë e një status quo'je politike vazhdoi deri në zgjedhjet e dyta të përgjithshme, ato të vitit 2004. As këto zgjedhje nuk ndryshuan shumë prej atyre të tre viteve më parë, përpos që treguan një rënie në popullaritet të LDK'së së Ibrahim Rugovës. Por mos u habitni: rënia e LDK'së ishte krejtësisht simbolike, në raport me forcat tjera politike. Në vend se të fitonte mbi 70 për qind, i kishte fituar mbi 60 për qind. E kishte bërë skenën politike pak më atraktive.
Gjatë këtyre zgjedhjeve ishte futur në skenë edhe botuesi i gazetës Koha Ditore, Veton Surroi, me partinë e tij ORA. Mirëpo edhe pse kishte fituar shumë vota, për shkak të sistemit të komplikuar parlamentar kjo parti nuk ishte në gjendje që e vetme t'i formonte institucionet. Për zgjedhjen e Presidentit të vendit kërkoheshin dy të tretat e votave të Kuvendit, e LDK kaq nuk i kishte. Kurse për Presidentin Rugova pozita e Presidentit ka qenë një lloj fetishi. Ai ishte në gjendje që të hiqte dorë prej më shumë se gjysmës së Qeverisë vetëm që të mos e humbte pozitën e Presidentit. Dhe ashtu bëri. Por jo vetëm aq. Ai vendosi që duke e bërë pazar pozitën e Kryeministrit të vendit t'i arrinte dy qëllime: të vazhdonte të ishte President, kjo e para, dhe e dyta ta përçante si kurrë më parë krahun e luftës.
Thuhej se në atë kohë Thaçi e Haradinaj ishin marrë vesh që të mos i nënshtroheshin formulës së Rugovës të "përçajë dhe sundo" dhe të mos futeshin në koalicion ndaras, por ose së bashku ose hiç. Por Haradinaj i kishte rezistuar tundimit deri në momentin kur atij Nexhat Daci - si strategu kryesor i LDK'së - ia kishte ofruar pozitën e Kryeministrit, kurse për vete e kishte ndarë pozitën e Kryetarit të Kuvendit, e Ibrahim Rugovës pozitën e Kryetarit - edhe pse në mënyrë kundërkushtetuese e quante President.
Haradinaj pak përpara se ta formalizonte koalicionin me Ibrahim Rugovën dhe të fillonte kështu një dashuri të re, e kishte thirrur Thaçin në telefon dhe i kishte thënë se edhe përkundër marrëveshjes interne me të ai po e shkelte atë, duke e rrëmbyer pozitën më të lartë ekzekutive, atë të Kryeministrit.
Kurse Hashim Thaçit, siç thuhet, ia kishte lënë në dorë të dy këmbët e arushës.
Pika kulmore e luftës, tash në mes të krahut të luftës, ishte arritur në muajin mars të vitit 2004 kur në një tubim të organizuar në stadium të Prishtinës, Haradinaj ishte pritur me fishkëllima. Në ketë situatë Haradinaj u ishte përgjigjur pa e vrarë aspak mendjen se "O Komandantat e Bllacës" dhe ua kishte përshëndetur nënat. Ky gjest i tij e kishte thelluar edhe më shumë hendekun me PDK'në, në njërën anë, dhe në anën tjetër e kishte rritur edhe më shumë lavdinë e tij tek elektorati i LDK'së, që më ngulm po e kërkonte një hero që do t'i dilte përpara, mundësisht me ketë gjuhë, Hashim Thaçit me kompani.
Kur mandati LDK-AAK po shkonte si qumështi me mjaltin, kur për Haradinajn legjendat urbane kishin filluar të krijoheshin - të shumtën se po i detyron ministrat të shkonin herët në punë dhe për drekë të hanin byrek - një fuqi madhore e ardhur prej Tribunalit të Hagës ua ndali frymën dy milionë kosovarëve. Haradinaj do të detyrohej që ta lente në gjysmë mandatin e tij, duke e lënë si bedel të pasuksesshmin dhe të palavdishmin, Bajram Kosumin. Për sa kohë që Haradinaj po qëndronte në Hagë në Prishtinë asnjëherë nuk kanë pushuar spekulimet dhe fjalët e liga se atë e kishte dërguar atje, kush tjetër pos Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Në element të tyre kur vjen puna për thashetheme ishin njerëzit e LDK'së. Sido që të jetë, pa Ramushin në krye të Qeverisë dhe me Presidentin Rugova të sëmurë nga kanceri, koalicioni LDK-AAK u shndërrua në një paçavure. Dhe për ketë, sa herë që ishte në Prishtinë, kujdesej pikërisht Haradinaj. Ai, duke u përballur me një padëgjueshmëri prej Bajram Kosumit, nuk hezitonte të lansonte dhe t'i ushqente skandalet qeveritare. E bënte ketë për ta paraqitur vetën të pazavëndësueshëm. Edhe pse në ndërkohë nuk hezitonte të zhvaste fonde qeveritare. Dhe një gjendje e tillë u bë edhe më e padurueshme për qytetarët e vendit pas vdekjes së Presidentit Rugova.
Pa Rugovën dhe pa Haradinajn institucionet e vendit u shndërruan në pozita lehtë të arritshme për secilin qytetar. Një dekadancë totale po dominonte në vend. Si për të mos mjaftuar këto Lidhja Demokratike e Kosovës po kënaqej dhe po argëtohej me një dëshirë për vetëshkatërrim. U nda në dysh, në mes të Nexhat Dacit e Fatmir Sejdiut, duke i rritur bastët për Hashim Thaçin, i cili me një durim të gjarprit po e priste shansin e tij për t'i fituar zgjedhjet.
Profecia u realizua dhe rolet u ndryshuan. I kishin ardhur minutat e Hashim Thaçit për ta dërguar në një opozitë të thellë AAK'në e Haradinajt dhe për ta shfrytëzuar pa asnjë mëshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës. Mirëpo, ndonëse në koalicion me Hashim Thaçin, elektorati i LDK'së assesi të pajtohej me ketë fakt dhe me ketë fat. E sidomos nuk po pajtoheshin ajo pjesë e ministrave dhe zyrtarëve të LDK'së që i kishin shërbyer Haradinajt gjatë 100 vjetëve të sundimit të tij. Dhe një situatë e tillë konfuze për ish-partinë më të madhe në vend, po i shkonte shumë për shtati dy partive të luftës, PDK'së dhe AAK'së.
Të parës po i konvenonte tej mase një atomizim i mëtutjeshëm i partisë së Rugovës, kurse të dytës i konvenonte atomizimi i mëtejshëm, me kush që të dëshpëruarit t'i bashkoheshin AAK'së. Dhe saktësisht një gjendje e tillë e një gjakderdhje masive po vazhdonte, derisa në një formë dinake Isa Mustafa nuk e la pa punë, ish-mentorin e tij Fatmir Sejdiun, duke e marrë timonin e partisë dhe kthyer në një masë dinjitetin.
Dhe për gjithë këto vite PDK dhe AAK e kishin qëllimin pak a shumë të njëjtë, ndonëse tingëllonte ndryshe: shuarjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës. PDK përmes shkatërrimit total, kurse AAK përmes absorbimit total. Madje nëpër Prishtinë është folur para një kohe se ndoshta Haradinaj, kur t'i lë prapa vetës akuzat e Hagës, do të ketë mundësi të zgjidhej Kryetar i LDK'së, kuptohet në një shkrirje në AAK. Dhe pas plot 13 vjetësh duket se matematika zgjedhore ka ndryshuar.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëhequr prej Isa Mustafës më shumë se sa për aleatët ka filluar të mendoj për interesat e partisë së tyre. Dhe zgjedhjet e 3 nëntorit e treguan një ndryshim të trendit. LDK si kurrë më parë është afër rikthimit të qendrave kryesore të Kosovës nën mandatin e saj. Dhe një situatë e tillë e vë përballë dy partive të luftës 13 vjet pasluftës.
Të gjendur përball këtij rreziku, PDK në Prizren dhe Gjilan, e AAK në Pejë, kanë vendosur që t'i harrojnë animozitetet; kanë vendosur t'i harrojnë akuzat për shtëpi në Dubai e Monte Carlo; kanë vendosur që t'i harrojnë dyshimet për kurthe gjyqësore; kanë vendosur t'i harrojnë 'komandantët e Bllacës' e fishkëllimat dhe t'i bashkojnë forcat - ndoshta edhe armët - përball partive të tjera, në ketë rast LDK'së dhe AKR'së, kjo e fundit është kundër AAK'së në Gjakovë e kundër PDK'së në Mitrovicë.
Kjo është hera e parë që prej kohës kur ka filluar jeta parlamentare në vendin tonë, kur Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj po ulën pa ndërmjetësues - edhe atë ndërkombëtar - dhe i kërkojnë ndihmën njëri tjetrit.
Pas rezultateve të Prizrenit, Gjilanit, Ferizajit, Pejës, Gjakovës dhe Mitrovicës do ta shohim se cila fuqi politike është më e madhe: ajo e krahut të luftës, apo ajo e krahut civil? Sigurisht se prej këtij rezultati do të trasohet rruga edhe për shumë vitet e ardhshme. Po se po për zgjedhjet e ardhshme nacionale./gazetaexpress/



