Kurani i madhërishëm zë vendin kryesor, për sa i përket formimit dhe edukimit të personalitetit të çdo muslimani, sepse ai është libri hyjnor që vë bazat e besimit islam, përcakton linjat e botëkuptimit tonë, rrënjos konceptet e çdo njeriu dhe perceptimet që lidhen me Islamin në vijat e tij të përgjithshme dhe të veçanta. Kurani është libri që orienton bindjet tona shpirtërore dhe praktike në rrugë të drejtë. Ai është drita dhe libri i qartë, nëpërmjet të cilit Zoti i udhëzon ata që ndjekin kënaqësinë e Tij drejt rrugëve të shpëtimit intelektual, shpirtëror dhe praktik; i nxjerr ata nga errësira në dritë; i udhëzon në rrugën e drejtë dhe u sqaron të vërtetën rreth së cilës ka mospajtime. Kurani është udhërrëfyes dhe mëshirues për njerëzit që besojnë; është shërim për sëmundjet e zemrave; është provë dhe argument nga Zoti i botëve; është një libër, të cilit nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjë anë; është dokumenti i mbrojtur, të cilin Zoti e ka ruajtur nga çdo shtrembërim, shtim apo fshirje, siç ka thënë edhe Vetë:“Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë” (El-Hixhr: 9).
Kurani – burimi i parë i jetëshkrimit të Profetit (a.s.)
Kurani konsiderohet si burimi i parë i jetëshkrimit të Profetit Muhamed (a.s.). Ai është libri i Mesazhit Hyjnor që flet rreth personalitetit të Pejgamberit (a.s.) në aspektet e tij të ndryshme: rreth natyrës dhe kapacitetit të tij; rreth moralit, metodave dhe dinamikës së tij në predikimin e Islamit si në jetën e tij private, ashtu edhe në atë publike; rreth botës së tij të brendshme të mendimeve, ndjenjave dhe emocioneve të tij në përballje me sfidat e shumta; rreth marrëdhënieve të tij me besimtarët në kohë paqeje dhe lufte etj. Me fjalë të tjera, çdo koncept që ka të bëjë me personalitetin profetik të Muhamedit (a.s.) dhe me mishërimin e misionit të tij në jetën praktike, duhet të niset e të bazohet në Kuran dhe jo në idetë filozofike, të cilat shprehen për profecinë si mision me nocione të përgjithshme, që janë larg frazave të qarta kuranore. Vargjet e Kuranit, me thjeshtësinë e tyre shprehëse, synojnë që njerëzit t’i përvetësojnë sa më lehtë në bagazhin e tyre teorik dhe emocional konceptet mbi Profetin (a.s.) dhe misionin e tij.
Dimensioni profetik i personalitetit të Muhamedit (a.s.) është një çështje hyjnore, e cila nuk mund të njihet, përveçse me anë të asaj që ka shpallur Zoti në Librin e Tij ose në Sunetin (Traditën) e të Dërguarit të Tij. Prandaj, është e domosdoshme që muslimanët ta studiojnë këtë çështje nëpërmjet Kuranit (të cilin Zoti ua ka zbritur njerëzve për ta kuptuar, besuar dhe zbatuar), veçanërisht gjatë periudhës së parë të Shpalljes (në Mekë), ku Profeti (a.s.) jetonte me pasuesit dhe, njëkohësisht, me armiqtë e tij. Ishte pikërisht ajo situatë që shkaktonte shumë probleme, ndërlikime dhe dilema në aspektin që Shpallja Hyjnore nisej nga ideja e përgjithshme në nivel teorik drejt zbatimit të saj praktik. Kështu që njerëzit shihnin tek Profeti (a.s.) përmbushjen e thënieve kuranore, mishërimin e ideve që atopërcillnin.
Misioni i të dërguarit
Kurani flet për këtë çështje në një sërë vargjesh, si:
“O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht, (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.”(El-Ahzâb: 45-46); “Është Ai që u solli analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë.” (El-Xhumu‘ah: 2); “Allahu ju ka dërguar udhërrëfyesin: një të Dërguar, i cili ju lexon shpalljet e Allahut me shpjegime të qarta, për t’i çliruar ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, nga errësira në dritë” (Et-Talâk: 10-11).
Dëshmitar për mbarë bashkësinë njerëzore
Shohim se roli që i jep Profetit Shpallja Hyjnore në sferën njerëzore, është roli i dëshmitarit, ndaj bashkësisë së besimtarëve, nga pozita e udhëheqësit që ua ka përcaktuar shenjat dhe vijat ku duhet të ecin, që i vëzhgon ata në jeten e tyre praktike, në mënyrë që ajo të përputhet me vijën hyjnore. Ky është roli i të Dërguarit që u lexon njerëzve vargjet e Zotit; që u mëson atyre Librin e Tij në aspektin teorik dhe Urtësinë në aspektin praktik; që u jep besimtarëve, lajmin e mirë për Parajsën dhe shpërblimin e madh që i pret; që i paralajmëron ata që nuk besojnë, për dënimin e dhembshëm që i pret në Ferr. Ai është edukatori që i dëlir ata, duke çliruar zemrat dhe jetën e tyre nga ndotja ideore, nga papastërtitë praktike; duke i nxjerrë ata nga errësira e padijes, mosbesimit, idhujtarisë, humbjes dhe prapambetjes në dritën e dijes, besimit, monoteizmit dhe përparimit.
Vazhdues i shpalljeve hyjnore
Profeti (a.s.) nuk erdhi për të shfuqizuar mesazhet e sjella nga të dërguarit e mëparshëm apo për t’i mohuar ato, por për t’i vërtetuar ato, siç e ka përcaktuar vetë Zoti i Lartësuar “…kur t’ju vijë një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë” (Âl‘Imrân: 81). Ai i konfirmonte librat që u ishin zbritur atyre dhe ua shpjegonte ato njerëzve: “O ithtarët e Librit! Juve ju erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej Librave (Teuratit dhe Ungjillit) dhe ju fal shumë” (El-Mâ‘ide: 15) dhe konfirmonte besimin tek të gjithë të dërguarit: “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij” (El Bekare: 285).
Njerëzit i binden atij përmes forcës së besimit
Vëmë re se Profeti (a.s.), në rolin e tij si njoftues i lajmit të mirë, paralajmërues dhe thirrës në rrugën e Zotit, ushtron forcë mbi njerëzit por i bind ata përmes forcës së besimit, përkushtimit dhe veprave të mira. Zoti i Lartësuar i drejtohet atij: “Prandaj këshilloji (njerëzit, o Muhamed), se ti je vetëm këshillues dhe nuk je ngarkuar t’i detyrosh ata me forcë!” (El-Gâshije: 21-22). Po ashtu, Ai thotë: “Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut. Sa për ata që kthejnë kokën mënjanë, Ne nuk të kemi dërguar (o Muhamed) që të jesh rojtar i tyre.” (En-Nisâ’ – 80); “…i Dërguari ka për detyrë vetëm që të shpallë qartazi” (El-‘Ankebût: 18); “Ne e dimë mirë çfarë thonë ata, por ti nuk do t’i detyrosh ata me dhunë (që të besojnë). Prandaj këshillo në bazë të Kuranit këdo që ka frikë paralajmërimin Tim!” (Kâf: 45).
Kështu, pra, roli i misionit profetik tregon se Zoti nuk e ka pajisur të Dërguarin e Tij me forcë tjetër mbi atë të zakonshmen por, që të ketë pushtet për të formësuar mendjet e njerëzve e për t’i udhëzuar ata drejt besimit, përveç forcës së fjalës së mesazhit hyjnor. Madje, mund të thuhet se, për të përballuar një qëndrim të caktuar, gjithçka që e mëson Zoti të Dërguarin e Tij, që të thotë: “Unë jam urdhëruar që të adhuroj vetëm Zotin e këtij Qyteti (Mekës), i Cili e ka bërë atë të shenjtë dhe të Cilit i përket gjithçka. Jam urdhëruar që t’i nënshtrohem Atij dhe të këndoj Kuranin. Kushdo që merr rrugën e drejtë, e bën për dobi të vet. Ndërsa atyre që devijojnë, ti thuaju: ‘Unë jam vetëm paralajmërues’.” (En-Neml: 91-92).



