
Dita e Flamurit do të festohet edhe këtë vit në Maqedoni me manifestime të ndryshme, por manifestimi qendror parashihet që të mbahet në Zajaz të Kërçovës.
Do të bëhet inaugurimi i Qendrës Përkujtimore "Nëna Shqiptare", që ngrihet me rastin e 100-vjetorit të luftërave ballkanike dhe në nderim të të gjitha viktimave shqiptare nga masakrat serbe të para 100 vjetëve, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Gjithashtu, Qendra Përkujtimore përfshin një përmendore katërmetërshe të Nënës Shqiptare, në shenjë respekti për kontributin e nënave shqiptare ndër vite.
Do të ketë një kompleks varrezash, ku do të rivarrosen të gjitha ato viktima që do të nxirren nga varrezat e vjetra masive në territorin e komunës së Kërçovës, që janë viktima të krimeve serbe.
Kompleksi memorial ka edhe njështizë të flamurit 30 metra e gjatë, ndërkohë që dhe ish-ndërtesa e Komunës së Zajazit do të shndërrohet në Muze.
I gjithë organizimi do të bëhet nën patronazhin e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së, Artan Grubi, ka thënë për "Zhurnal plus" se u është bërë ftesë publike të gjithëve për të marrë pjesë në këtë organizim me karakter kombëtar.
"Koordinatori i manifestimit, Musli Musliu i ftoi publikisht të gjitha partitë politike dhe qytetarët që të vijnë dhe ta nderojnë këtë manifestim që është i përmasave gjigante, sepse shënohet edhe Dita e Flamurit.
Edhe përfaqësuesit e partive opozitare duhet që sikur që erdhën vitin e kaluar për manifestimin e 100-vjetorit në sallën 'Boris Trajkovski', edhe këtë vit do të duhej që ta shohin të arsyeshme dhe të vijnë, sepse është manifestim i hapur, manifestim popullor", ka theksuar Grubi.Por, nënkryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Artan Dika thotë se e keqja është se nuk marrin ftesa në raste të tilla.
"Ne bojkotohemi nga partia shqiptare në pushtet, e cila i organizon këto manifestime, ndërsa ata dalin në opinion me pretendime se i ftojnë të gjithë. RDK në të gjitha rastet është konstruktive.
Kemi marrë pjesë në të gjitha manifestimet që nuk janë me qëllime partiake dhe provokuese. Qasja jonë është parë në rastin e manifestimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, vitin e kaluar kur PDSH-ja bojkotoi, ndërsa RDK-ja mori pjesë, përfshirë kryetarin Rufi Osmani", ka thënë Dika, për "Zhurnal plus".


