Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Blomeyer bën thirrje që në Kosovë të ketë zgjedhje fer dhe transparente dhe i konsideron si shumë të veçanta, meqë mbahen për herë të parë në tërë territorin e Kosovës. Ai shpreh besimin se nuk do të ketë parregullsi, veçanërisht duke u bazuar në numrin e vëzhguesve që do të jenë.
Blomeyer thotë se duhet të ketë vëmendje të posaçme në veri, ngase, sipas tij, atje po ushtrohet presion i madh mbi popullatën që të mos votojnë.
Flet edhe për privatizimin e PTK-së. Sipas tij, nëse nuk privatizohet do i bie vlera shumë. Blomeyer vlerëson se në Kosovë, gjendja e sistemit të drejtësisë, korrupsioni, krimi i organizuar apo edhe mungesa e energjisë janë pengesa për investime.
Ambasadori gjerman i vlerëson këto zgjedhje si tejet të rëndësishme meqë mbahen në tërë territorin si dhe meqë mbahen në një kohë që është domethënëse për Kosovën, ngase kanë filluar negociatat për MSA-në me Bashkimin Evropian.
Ai thotë se zgjedhjet janë gjithmonë një ngjarje e rëndësishme, sepse populli flet, pra ushtron të drejtën e tij të votës me qëllim që të vendos për qeverisjen e tij.
Bën thirrje për proces fer dhe transparent dhe është këmbëngulës që BE-ja dhe shtetet e saj nuk do tolerojnë manipulimet asesi.
“U bëj thirrje të gjithë përgjegjësve, që procesi zgjedhor të jetë fer dhe transparent. Në këtë drejtim dua të theksoj se ka një përparësi për Kosovën me rëndësi fundamentale që ndërlidhet me përparimin e Kosovës në hapat e mëtutjeshëm drejt BE-së - sepse BE-ja është një përbërje e shteteve që janë të lira dhe demokratike. Unë shpresoj, që të ketë vëmendje që këto zgjedhje të jenë më të rregullta se zgjedhjet e mëhershëm në Kosovë. Ka shumë vëzhgues në vend. Pra vëzhgues nga BE-ja, nga komuniteti diplomatik, poashtu vëzhgues vendor. Të gjithë këta janë të obliguar që të shikohet që zgjedhjet të jenë të rregullta. Shpresoj fillimisht që të gjithë pjesëmarrësit ta kuptojnë se është e rëndësishme të respektohet vullneti i votuesve dhe të mos manipulohet ai. Nga BE-ja dhe shtetet anëtarë të saj në asnjë mënyrë nuk do tolerohen manipulimet”, ka thënë Blomeyer në një intervistë për Kosovapress.
Beson se nuk do të ketë parregullsi, por kërkon vëmendje për në veri, ngase, sipas tij, atje ka presion mbi popullatën.
“Për këtë duhet te kemi shumë vëmendje ngase ne kemi parë që në veri ushtrohet shumë presion mbi popullatën nga kundërshtarët e zgjedhjeve dhe kemi dëgjuar se ka presione nga grupacione të ndryshme dhe duhet të kemi vëmendje të posaçme që edhe në atë pjesë të ushtrohen zgjedhje të lira”, thotë Blomeyer.
Ambasadori thotë se zgjedhjet nuk duhet të jenë të rregullta vetëm sa për t'i pëlqyer BE-së dhe beson se do ndikojnë shumë në normalizimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.
Megjithëse pranon se shumë herë ka pasur përpjekje të ndryshme të njerëzve që të ndalen proceset në Kosovë, thotë se nuk ka ndodhur dhe e konsideron të rëndësishme që populli në veri të vendosin për vete dhe të vendosin se kush do t'i udhëheq ata.
“Zgjedhjet për këtë mund të japin një kontribut shumë të rëndësishëm, është e rëndësishme që popullata në veri të Kosovës të mirëpritet, që ata të kuptojnë se në këtë shtet mund të zhvillohen dhe për këtë është e rëndësishme që ata të marrin pjesë në zgjedhje. Prandaj shpresojmë që të relaksohet marrëdhënia mes të dyja popujve, të ndërtohet besimi dhe që të ketë bashkëpunim atje ku tani nuk ka fare komunikim”, ka thënë ai.
Blomeyer sheh që të dyja palët, edhe Kosova edhe Serbia kanë vullnet politik që të zgjidhin konfliktin mes vete dhe e bënë të qartë se BE-ja nuk dëshiron që të importojë konflikte.
Meqë të dyja vendet ia kanë mësy BE-së, ai thotë se nuk kanë zgjidhje tjetër përveç që të zgjidhen konfliktet ekzistuese dhe se do vlerësohen secila palë për kontributin që japin në zgjidhjen e tyre.
Besojë që ky është një synim i rëndësishëm. Mirëpo në brendinë time shpresoj shumë se ata i shtynë edhe motivimi që t’i pajtojnë popujt. Pra që akterët politikë ta kenë edhe këtë synim. Pajtimi i popujve është bazamenti i BE-së”, ka thënë ai.
Peter Blomeyer shpjegon edhe për MSA-në dhe thotë se qytetarët vet duhet të interesohen dhe të dinë se çfarë përfiton vendi i tyre dhe vet ata nga kjo marrëveshje.
Sa i përket përkrahjes së shtetit gjerman, Blomeyer, premton se Kosova do ta ketë atë përkrahje edhe në këtë mandat të kancelares Merkel.
“Nuk ka asnjë shenjë për ndonjë ndryshim politik, përkrahja do të vazhdojë”, ka thënë ai.
Kur flet për investimet në Kosovë dhe gjendjen ekonomike thotë se ka shumë pengesa për investitorët e për PTK-në thotë se duhet të privatizohet në mënyrë që mos t'i ulet vlera.
Këshillon që ekonomia e Kosovë të zhvillohet në atë drejtim që të ketë më shumë prodhim.
“Ka një sërë pengesash për investim, përpos administrimit të ekonomisë janë edhe gjendja e sistemit të drejtësisë, korrupsioni, krimi i organizuar, mirëpo edhe mungesa e infrastrukturës e në veçanti mungesa e energjisë elektrike, pika duhet të përmirësohen”, thotë ambasadori gjermanë.
Është tejet i bindur që nëse nuk privatizohet PTK-ja do t'i bie vlera si dhe do të ikin investitorët nga Kosova.
“Ka rëndësisë fundamentale që të arrihet privatizimi, jo vetëm që Kosova të merr çmimin shitës që i është caktuar pra 277 milion euro, një çmim, i cili assesi nuk do të arrihej në rast se do të vijë tek rishpallja e tenderit. E rëndësishme është që privatizimi të arrihet, sepse do të kishte rëndësi jo vetëm për bizneset në gjermani por edhe për ato evropiane që po e përcjellin këtë proces. Nëse do të kishte sukses do të ishte shenjë shumë e mirë, e nëse kjo dështon atëherë investitorët do t’ia kthejnë shpinën Kosovës”, ka thënë ai.
Ambasadori jep idenë që remitencat të shfrytëzohen dhe orientohen në prodhim, ngase, sipas tij, do të krijoheshin vende pune, mundësi eksporti dhe do ndryshohej ky bilanci tregtar negativ që e ka Kosova. /Kosovapress/



