Prej 90 vitesh radioja është bashkëudhëtare e njerëzve në Gjermani. Shpesh ajo u deklarua si e vdekur, por megjithatë kjo medie mbijeton ende deri sot. Një ekskursion nëpër historinë e transmentimit radiofonik.
"Vini re, vini re! Këtu ju flet radioja e Berlinit në Vox-Haus në valën 400 metra. Të dashur zonja dhe zotërinj, ju njoftojmë se Shërbimi Radifonik i Emisioneve Dëfryese fillon me transmentimin e shfaqjeve muzikore përmes linjës telefonike jokabllore."
Më këto fjalë të stacionit "Ora e transmentimit AG Berlin" filloi më 29 tetor 1923 në orën 20:00 transmentimi i parë radiofonik në Gjermani. Në program atë ditë qëndronte muzikë - foxtrott, që luhej dal-vivo para mikrofonit.
Por shumë pak vetë e ndoqën transmentimin e parë radiofonik, pasi shumica nuk mund t'i blinin aparatet e shtrenjta. Krahas muzikës, në program u fut shumë shpejt edhe transmentimi i evenimenteve sportive. Reporteri i orëve të para, Alfred Braun, raportonte në vitin 1930 live nga stadiumi i Berlinit për "luftën mes dy shteteve", Gjermani-Angli, në të vërtetë fjala ishte për një ndeshje futbolli.
Propogandë nazistësh
Në fund të vitit 1931 mori fund patenta e firmës "Telefunken", gjë që u mundësoi firmave të tjera gjermane të zhvillonin teknikën e re të radiove, duke ulur kështu çmimin e blerjes së aparateve. Kështu lindi edhe radioja e tipit "Volksempfänger" - Radioja e popullit, të cilën nacionalsocialistët e zbuluan shpejt si një instrument të propogandës së tyre. "Radioja duhet t'u nënshtrohet qëllimeve, që i ka vënë vetes revolucioni kombëtar", deklaroi në vitin 1933 ministri nacionalsocialist për propagandën, Joseph Goebbels, gjatë një fjalimi para drejtorëve të radiove. Dëgjimi i radiove të huaja ndëshkohej me ligj.
Fillimi i ri demokratik
Pas luftës tre fuqitë fituese, Franca, Britania e Madhe, dhe Shtetet e Bashkuara vendosën të ngrinin një sistem radiofonik jashtë ndikimit shtetëror, të kontrolluar nga opinioni, të organizuar në formë decentraliste e të financuar me paratë e taksapaguesve. Shembull për këtë ishte BBC-ja britanike. Përmes radiove ushtarake të fuqive pushtuese në vitet e pasluftës u bë prezente në Gjermani edhe muzika angleze. Me qëllim që të mos humbnin dëgjuesit, shumë radio gjermane futën në programe muzikën e huaj.
Nga Këlni në Kigal
Nga viti 1953 në Gjermani nisi transmentimin edhe Deutsche Welle, radioja e parë e jashtme gjermane. Programi u zgjerua mjaft me hapjen e programit në gjuhë të ndryshme e transmentim deri në rajonet më të largëta të botës. Heinz-Peter Friedrich pas studimeve të inxhinierisë erdhi në vitin 1975 në qendrën e Deutsche Welles në Köln. Pas një praktike pune ai mori drejtimin e stacionit përforcues në Kigali, Ruanda. Në këtë stacion vinte sinjali i valëve nga Gjermania, aty përforcohej dhe më pas shpërndahej në të gjithë kontinentin afrikan. Friedrich kujton kohën, që ka punuar në Kigali, me nostalgji. "Detyrat tona ishin kaq të ndryshme, saqë ne duhej të kujdeseshim vetë edhe për sigurimin e ujit të pijshëm." Ai ka shoqëruar zhvillimin e radios deri më sot. "Suksesi më i madh i radios ishte në vitet 1983-1992. Atëherë programi shpërndahej nga gjashtë stacione përforcimi në të gjithë botën."
Një media në ndryshim
Ndërkohë televizioni dhe interneti i kanë bërë konkurrencë radios në Deutsche Welle. Wolfgang Mühl-Benninghaus, studiues i mediave nga Universiteti i Berlinit, thotë se radioja është ndryshe, ajo dëgjohet rastësisht e duke bërë punë të tjera, duke ngarë makinën, duke bërë punët e shtëpisë, apo thjesht kur do të çlodhesh. Madje edhe interneti e mundëson dëgjimin e radios nga rajonet më të ndryshme të botës. Stacionet vendase, që e transmentojnë sinjalin në formë tradicionale përmes valëve, janë nën trysninë e konkurrencës së internetit.
Mühl-Benninghaus nuk beson se do të shuhet radioja në formën e saj tradicionale. "Konsumatori nuk do të kënaqet me dy ose tre programe gjithsej". Më së shumti radioja do të jetë më rajonale dhe do të orientohet më shumë nga kërkesat e grupeve të caktuara të dëgjuesve. Kështu ndoshta edhe Foxtrott ka shansin të dëgjohet sërish./DW/





