Aktorja e njohur e skenës teatrore dhe filmit shqiptar, Roza Anagnosti, ka festuar në Teatrin Kombëtar, pranë miqve e kolegëve, 70-të vjetorin e ditëlindjes së saj.
Pas urimeve të shumta që u bënë për aktoren Anagnosti, për të ftuarit u shfaq dhe një montazh filmik me role që aktorja ka interpretuar në filma të ndryshëm ndër vite. Së fundmi në skenën teatrore aktorja u prezantua në veprën “Shtëpia e Bernarda Albës”.
Roza Anagnosti lindi më 27 tetor 1943 në Tiranë. Aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë ështëa bashkëshortja e regjisorit po ashtu mjaft të njohur Dhimitër Anagnosti.
Disa nga filmat më të suksesshëm ku aktorja ka interpretuar janë “Plagë të vjetra” në vitin 1969, “Fijet që priten” në vitin 1976 me të cilin fitoi dhe “Medaljonin” e festivalit të vitit 1977, “Mësonjëtorja” në vitin 1979 me të cilin u shpall aktorja më e mirë dhe fitoi “Kupën” e festivalit ", me filmin “Rruga e lirisë” fitoi “Medaljonin” e dytë. Filmat e tjerë janë “Ndërgjegjja” 1972, “Qyteti më i ri në botë” 1974, “Në shtëpinë tonë” 1979, “Taulanti kërkonte një motër” 1984, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” 1989, “Gjoleka i biri i Abazit” 2006. Por aq sa është e vlerësuar në kinematografi, po aq është dhe me role dhe vlerësime në teatër. Aktorja e njohur Roza Anagnosti është cilësuar si simboli i forcës dhe suksesit në art. Me dekada jetë artistike, aktorja e cila karakterizohet me një repertor të ngjeshur dhe shumë të suksesshëm, rrugëtimin e saj artistik e nisi në skenën e Teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës, për tu bërë sot një nga emrat më të vlerësuar të artit dhe kulturës shqiptare. Përveç shumë vlerësimeve e çmimeve për karrierën, Roza Anagnosti mban titullin “Artiste e Merituar”.



