Parada e nxënësve të shkollës Hersoniso në Kretë nuk shkoi siç duhet.
Djemtë braktisën paradën, pasi nuk pranonin që flamuri të mbahej nga një nxënëse shqiptare, e cila kishte rezultatet më të mira.
Konflikti nisi kur shkolla Hersoniso, si gjithë shkollat e tjera, vendosi të zbatojë rregullin, sipas të cilit, flamuri në paradë mbahet nga nxënësi më i mirë i saj.
Në këtë shkollë, nxënësja më e shkëlqyer ishte një shqiptare dhe sipas rregullit, asaj i takonte të ishte lideri i paradës. Por, ky fakt shkaktoi reagime nga disa nxënës dhe prindër, të cilët nuk pranuan që një shqiptare të mbante flamurin grek, në një paradë që përkujton luftën.
Nga ana e tyre institucionet arsimore deklaruan se rregulli do të zbatohet, pavarësisht kombësisë së nxënëses dhe theksuan se në shkolla nuk ka vend për shfaqje racizmi.
Vendimi bëri që parada e nxënësve të shkollës Hersoniso, të ishte sot vetëm një paradë vajzash.
Nuk është hera e parë që shqiptarët udhëheqin paradat e festës në Greqi, dhe herë-herë ky fakt ka shkaktuar edhe reagime, por rregulli është zbatuar, me përjashtim të ndonjë rasti, kur nxënësi, i caktuar si lideri i paradës, është tërhequr për të mos shkaktuar tensione.(Balkanweb)



