Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe trajneri Gianni De Biasi zyrtarizuan marrëveshjen për zgjatjen e kontratës edhe dy vite të tjera, me opsion rinovimi në rast se Shqipëria arrin të kualifikohet në finalet e “Euro 2016”.
Duka tha se, e ka vlerësuar pozitivisht punën e italianit gjatë eliminatoreve të “Brazil 2014”, ndaj institucioni që ai drejton vendosi t’i ofrojë një kontratë të re.
Duka thotë se objektivi i De Biasit është t’i çojë kuqezinjtë në finalet e Evropianit, ndërsa sa u përket termave financiarë të kontratës së re shpjegoi se ka një rritje simbolike vetëm për bashkëpunëtorët e trajnerit.
Një nga temat më të diskutuara kohët e fundit është mundësia për të bindur talentin e Manchester Junajtid, Adnan Januzaj, që të veshë fanellën kuqezi.
De Biasi premtoi se do të mundohet të takohet personalisht me 18-vjeçarin, që ai të bëhet pjesë e Shqipërisë.
“Do të punoj në bashkëpunim me Federatën, duke e pasur të qartë në kokë sesi do të mund ta motivoj këtë djalosh për të luajtur me Shqipërinë. Sigurisht që do ta bëj një tentativë për ta bindur që të luajë me ne. Nuk e di sesa do të mund të jem i suksesshëm në këtë tentativë, por sigurisht që do ta takojmë Januzajn”, tha tekniku italian.



