Presidenti i FIFA-s Sepp Blatter ka publikisht i ka kërkuar falje Cristiano Ronaldos pas deklaratave kundërthënëse që bëri ai për yllin e Real Madridit. Gjatë një debati në Universitetin e Oxfordit lidhur me meritat e reprezentuesit portugez dhe yllit të Barcelonës, Lionel Messi, Blatter bëri shaka, duke thënë se “dikush shpenzon më shumë kohë te stilistët e flokëve”.
Ronaldo i mori si ofendim deklaratat e tij, duke thënë se Blatter tani e tregoi respektin e vërtetë që ka për të, klubin dhe vendin e tij por tani presidenti i FIFA-s është detyruar që t`i kërkojë falje publikisht sulmuesit 28-vjeçar.
“Është nder që të kem kontakte të mira me Real Madridin dhe të sqaroj se ne kemi shumë lojtarë të talentuar, përfshirë edhe ty. Gjitha të mirat”, ka shkruar ai në rrjetin social “Twitter”.
Blatter gjithashtu dërgoi një letër të hapur presidentit Florentino Perez për t`i kërkuar falje nëse ka ofenduar dikë në Real Madrid.
“I dashuri President, unë kam pranuar letrën tuaj, përmbajtja e të cilës më befasoi shumë”, ka thënë ai.
“Dua të qartësoj se Cristiano Ronaldo është në të njëjtin nivel me Messin dhe të dy janë lojtarë të jashtëzakonshëm”, ka shtuar Blatter.
“Më vjen keq që një situatë e tillë u ka lënduar shumë dhe ju kërkoj falje për këtë”.



